E Martë, 3 Nëntor 2026

Nikolla bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Drejtësisë

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi sot një bashkëbisedim të ngrohtë me studentët e Klinikës së Ligjit pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, programi i integruar “Master i shkencave në Drejtësi”, të cilët kryejnë praktikën mësimore në Kuvend.

Kryetarja Nikolla i njohu studentët me disa nga funksionet dhe veprimtaritë e Kuvendit dhe i përgëzoi për ndjekjen me vëmendje të veprimtarive të Kuvendit, mbledhjet e komisioneve dhe veprimtaritë e tjera parlamentare si edhe për vlerësimet e sugjerimet e tyre për përmbajtjen e akteve ligjore që shqyrtohen.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se marrëveshjet e bashkëpunimit që Kuvendi ka nënshkruar me Universitetet synon veç të tjerash edhe tërheqjen e studentëve në praktikat mësimore dhe konsultimin nga ana e tyre të procesit të hartimit të akteve ligjore. Përfitimi nga pjesëmarrja e studentëve në praktikat mësimore në Kuvend është i dyanshëm: studentët njihen me procesin ligjbërës dhe kontrollin parlamentar, ndërsa Kuvendi merr impulse të reja nga kritikat, vlerësimet dhe propozimet e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›