Nikolliç-Hague: Prishtina e Beogradi të dialogojnë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka pritur sot në Beograd sekretarin e jashtëm britanik, William Hague.
Siç raportojnë mediat serbe, Nikolliç dhe Hague janë pajtuar se të gjitha çështjet e pazgjidhura në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të zgjidhen përmes dialogut.
Nikolliç mësohet të ketë thënë se Serbia është e gatshme që të bëjë shumë kompromise, porse "një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe pala kosovare".
“Serbia është e gatshme për të gjitha zgjidhjet që mundësojnë jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe që janë në përputhje me Kushtetutën e shtetit tonë”, ka thënë presidenti serb.
Hague, në anën tjetër, ka mirëpritur “vendosmërinë e Serbisë në rrugën drejt BE-së, raportojnë mediat në Beograd.
Hague do të takohet sot edhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.
Ai ka arritur në Beograd, pas qëndrimit në Prishtinë. Në kryeqytetin kosovar, Hague ka takuar presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të shtetit.