Nino: Luftëtari ka lektorë futbolli
Mbrojtësi Jetmir Nino, një nga tri përforcimet e gjirokastritëve në tregun e dimrit, është i sigurt për triumfin e ekipit ku bën pjesë
Ndeshja Luftëtari-Kukësi nuk u zhvillua më 24 dhjetor 2011, sepse ashtu vendosi gjyqtari për shkak të borës, që kishte mbuluar Gjiroakstrën. Por asnjëherë në shtypin sportiv nuk u pa data, kur do të zhvillohej kjo ndeshje, ndërkohë që një ndeshje e shtyrë e superligës pati fat tjetër. Marifetet e shtyrjes së pacaktuar të kësaj ndeshjeje do ta shohim se cilin ekipi do të favorizojnë, kur ajo do të luhet.
Pavarësisht nga ky fakt, Luftëtari, me rifillimin e kampionatit do të bëjë para publikut gjirokastrit prezantimin e ekipit të fazës së dytë, ku ndryshimet themelore janë në stafin e trajnerëve, teksa Hysi dhe Ciko janë zëvendësuar nga Dede dhe Novi.
Po ashtu, janë inkuadruar edhe tre futbollistë: Hithi, Strati dhe Nino, ndërkohë që janë larguar disa të tjerë, midis të cilëve shkodrani Pjetrani, gjirokastriti Lazo dhe disa nga grupi i më të rinjve vendës për të luajtur me ekipe fqinje të kategorisë së dytë. Luftëtari e nisi me fitore fazën e dytë, madje në transfertë, ku mundi Vlorën 1-2.
Nino Nga të ardhurit, tiranasi Jetmir Nino, që më sa duket do të prezantohet në Gjirokastër bashkë me gjithë strukturën e reformuar, thotë: Erdha me kënaqësi te Luftëtari, që këtë sezon është ekipi më i suksesshëm i kategorisë së parë dhe me siguri sezonin tjetër do të luajë në superligë.
Kam dëshirën që edhe unë të jap ndihmesën time në triumfin që do të arrijmë dhe jam i sigurt që do të më jepet mundësia. Nuk isha fazën e parë këtu, por rezultatet e arritura nga ky ekip flasin për një punë serioze, që vazhdon ndoshta më intensive nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede. Për Luftëtarin janë edhe 15 ndeshje, 2 nga të cilat me Kukësin.
Për mendimin tim, duke qenë se ky ekip ka disa lektorë futbolli, nuk mund të diskutohet suksesi, veçanërisht në Gjirokastër, ku do të luajmë ndeshjen e radhës me Himarën, që duhet ta vlerësojmë, edhe pse mbyll renditjen.
