Nis Haxhi në Mekë, masa të rrepta kundër A/H1N1
Mbi 2.5 milionë besimtarë myslimanë kanë mbërritur në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite për të kryer ritin e pelegrinazhit të tyre vjetor, duke pritur edhe festën e Kurban Bajramit. Pelegrinazhi ose haxhillëku në Mekë, është një ndër pesë shtyllat kryesore të besimit islam dhe konsiderohet si një detyrim për t'u kryer nga çdo mysliman të paktën një herë gjatë jetës së tij. Alarmi për pandeminë botërore të gripit të derrit, sipas autoriteteve arabe e ka pakësuar pak numrin e besimtarëve të pelegrinazhit, por gjithsesi ata janë të shumtë në numër. Nga ana e saj, bëhet me dijeni se qeveria e Arabisë Saudite ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për kontrollim mjekësor të besimtarëve. Prej 14 shekujsh myslimanët nga e gjithë bota mblidhen në Mekë duke ndjekur shembullin e profetit Muhamed dhe duke rikujtuar historinë e profetëve Ibrahim dhe birit të tij, Ismailit. Në ndër kërkesat e pelegrinazhit, është mbulimi i trupit me çarçafë ose pëlhura të bardha, duke shkëputur kështu të gjithë lidhjet materiale për hir të dashurisë ndaj Zotit. Një tjetër rit i pelegrianazhit është edhe kalimi rreth Qabesë, vendi që konsiderohet si shtëpia e atij që adhuron dhe të cilit njeriu i falet.