Plan i detajuar për sigurinë digjitale mes Shqipërisë dhe Italisë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa priti ditën e djeshme në një takim, zëvendësambasadorin italian në Tiranë, Pierluigi Simonetti.
Në një njoftim për mediet, AKSK thekson se ky takim u zhvillua në kuadër të forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas AKSK-së, diskutimet u përqendruan tek rëndësia e vijimit të bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë kibernetike, në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes dy vendeve.
AKSK cikëson se “palët ranë dakord për hartimin e një plani të detajuar që përcakton fushat konkrete të bashkëpunimit, me synim forcimin e qëndrueshëm të sigurisë digjitale”.
AKSK shprehet në njoftim se gjatë takimit u theksua gjithashtu nevoja për shkëmbim të vazhdueshëm të ekspertizës mes dy vendeve, si një bazë e fortë për forcimin e kapaciteteve të përbashkëta.

/e.i/a.f/r.e/