E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis “Tirana Gate 2025”, edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë për të Rinj

Nga sot, Tirana është kthyer në një qendër të krijimtarisë dhe mendimit letrar me nisjen e edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë për të Rinj “Tirana Gate”.

Nën temën “Mesdheu dhe Evropa në letërsinë bashkëkohore – Arti i qëndrimit”, festivali vjen si një ftesë për të eksploruar rrjedhat kulturore dhe për të ndërtuar ura komunikimi mes autorëve e lexuesve.

“Mesdheu mbetet një ftesë e përhershme për të mos harruar, për të mos u tërhequr, për të mos humbur mes dallgëve. Nuk është vetëm rezistencë, por mundësi për të mbjellë frymëzim, dhe festivali ynë, në zemër të Tiranës, është dëshmia e kësaj, një akt i përbashkët qëndrimi, homazh ndaj Mesdheut si një hapësirë që e mban njeriun dhe kulturën e shkruar të gjallë”, tha drejtoresha e festivalit, Irena Toci.

“Për ne, ajo që e bën atë mesdhetar janë historitë që ju dëgjoni, historitë personale të tyre dhe vendit të tyre. Dhe ne do ta shikojmë Mesdheun si një mozaik, si një mikrokozmos të rajonit tonë. Do ta shohim si një skenë, këtu në festival, ku do të flasin gjuhë të ndryshme, të cilat do të sjellin edhe kulturën e çdo vendi tjetër”, tha drejtoresha artistike e Festivalit, Mirela Selimi.

Aktiviteti po zhvillohet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe do të zgjasë deri më 10 tetor.

Gjatë këtyre tre ditëve, rreth 30 autorë dhe personalitete të letrave nga Shqipëria, Italia, Greqia, Turqia, Suedia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi do të marrin pjesë në panele diskutimi, tema të ndryshme, si edhe lexime.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›