Nis aksioni për dhurim të gjakut
Me moton “Disa pika gjak për ty asgjë – për mua jetë”, të enjten ka filluar aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut. Ky aksion po monitorohet nga Drejtoria për Shëndetësi në Pejë dhe ka nisur në Shkollën Fillore “Mehmet Shoshi” në Llozhan.
Drejtoresha e repartit të Transfuzionit të Gjakut në Spitalin Rajonal të Pejës, dr. Nergize Gjuka ka thënë se Spitali Rajonal i Pejës përballet me mungesa të vazhdueshme të gjakut dhe numri i dhuruesve vullnetarë është mjaft i vogël.
“Numri i dhuruesve të gjakut brenda një muaj sillet nga 250-300 persona, ku 15 për qind e tyre janë vullnetarë, ndërsa pjesa tjetër janë dhurues familjarë”, tregoi Gjuka e cila më tej shtoi se synim i tyre është që të zvogëlohet numri i dhuruesve familjarë, të cilët në shumë raste mund të dështojnë si pasojë e moskoordinimit të grupeve të gjakut.
“Shpresojmë që me këtë aksion të sigurojmë ndonjë rezervë gjaku, ku po kemi mjaft mungesë, sidomos këto ditë mungesë më e madhe është ndjerë në repartin e internos”, u shpreh Gjuka.