Surroi e sheh më të aftë Beogradin
Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, ka deklaruar të enjten se që nga takimet e para ndërmjet palës serbe e asaj kosovare është vërejtur një diskrepancë në mes të aftësisë së Serbisë për t’u integruar dhe aftësisë së Kosovës.
“Procesi, i cili zhvillohet tash e tutje nuk e ka të ingranuar aftësinë e Kosovës për të ecur përpara në integrimin evropian, shndërrohet në të kundërtën-shndërrohet në një proces anti-evropian për Kosovën, sepse e ngrin gjendjen çfarë është apo e degradon edhe më tutje”, u shpreh Surroi.
Këto komente Surroi i ka publikuar gjatë një debati të Klubit për Politikë të Jashtme, ku është publikuar një strategji e titulluar “Të synosh lart - Vizioni europian për dialogun Kosovë-Serbi”, përmes të cilit janë paraqitur një varg rekomandimesh për qasjen e BE-së ndaj të dyja palëve - me theks të veçantë ndaj Kosovës. Përfaqësues të BE-së u shprehën skeptikë lidhur me disa synime që kanë të bëjnë me integrimit evropian e që, sipas dokumentit, duhet t’i realizojë Kosova gjatë dialogut me Beogradin zyrtar.
Eurodeputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të ndërlidhen me liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Nëse e kërkoni atë si një nga gjërat që dëshironi nga dialogu - nga ata që po e zhvillojnë dialogun - ata nuk mund të vendosin për këtë gjë. Është shumë legjitime dhe e arsyeshme që ju ta kërkoni atë, por duke e ndërlidhur në këtë mënyrë, dyshoj se mund të ecni përpara”.
Lunacek tha se përjashtimi i Kosovës nga liberalizimi i vizave me BE-në nuk ka të bëjë aq shumë me mosnjohjen e vendit nga pesë shtetet anëtare të këtij mekanizimi, aq sa ka të bëjë me qëndrimet e një varg shtetesh anëtare, te të cilat, sipas saj, vërehet presioni i disa partive “ksenofobe”.
Përfshirja e Kosovës në proceset integruese në BE, sipas Luan Shllakut nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, do të jetë në interesin e vetë Brukselit zyrtar.
“Nëse BE-ja dështon ta ndihmojë Kosovën për t’u përafruar, ajo do ta nënçmojë; ajo do ta nënçmojë dukshëm kredibilitetin e saj si aktore në politikat e jashtme.
Të 22 shtetet që kanë njohur Kosovën, kanë interesa të sigurojnë se investimet politike dhe financiare të Bashkimit Europian rezultojnë me një storie suksesi- një Kosovë evropiane”, ka thënë Shllaku.