E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis bypassi i Elbasanit, Karakaçi: Do të jetë autostradë e kategorisë A, zgjidhje për trafikun

Kanë nisur punimet për ndërtimin e bypassit të Elbasanit, një projekt që synon të lehtësojë trafikun në qytet dhe të përmirësojë lidhjen mes akseve kryesore rrugore të vendit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se punimet kanë nisur në segmentin që lidhet me autostradën Tiranë-Elbasan. Sipas tij, bypassi do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, me të njëjtat standarde si aksi ekzistues Tiranë-Elbasan.

Aktualisht po punohet në 3 kilometrat e parë të segmentit, të cilat pritet të shtrihen deri në zonën e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Karakaçi tha se punimet po ecin me ritme të mira, ndërsa shpronësimet e kryera më herët kanë bërë të mundur hapjen e kantierit.

Dy kontratat për ndërtimin e segmentit janë lidhur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa pjesa vijues deri pranë Peqinit pritet të hyjë në prokurim vitin e ardhshëm.

Sipas ministrit, bypassi do të shërbejë për ndarjen e trafikut që vjen nga pjesa juglindore dhe ajo jugore e Shqipërisë, duke krijuar një lidhje të integruar mes autostradës Tiranë-Elbasan, bypassit të Elbasanit dhe korridorit Elbasan-Qafë Thanë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›