Nis edicioni i 88-të i Kategorisë Superiore, Duka: Më shumë konkurrencë, talente dhe ambicie

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Nis sot edicioni i 88-të i “Abissnet Superiore”, elita e futbollit shqiptar, me sfidën Vllaznia–Skënderbeu, që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, si ndeshja që çel zyrtarisht sezonin 2026-2027.
Kampionati i ri vjen me ndryshime në format dhe me synimin për të rritur konkurrencën deri në javët e fundit.
Edicioni do të zhvillohet në tri faza të rregullta, përpara ndarjes së skuadrave në play-off dhe play-out, duke shtuar rivalitetin si për titullin, ashtu edhe për objektivat europiane dhe mbijetesën.
Në prag të startit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, uroi klubet, futbollistët, trajnerët, arbitrat dhe tifozët, duke vënë theksin te zhvillimi i talenteve dhe profesionalizimi i futbollit shqiptar.
Duka veçoi si një nga prioritetet kryesore aktivizimin e futbollistëve të rinj shqiptarë. Sipas tij, rregulli i ri për aktivizimin e detyrueshëm të një lojtari të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, krijon më shumë mundësi për talentet e reja që të fitojnë eksperiencë në nivelin më të lartë të futbollit vendas.
“Investimi te të rinjtë është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit shqiptar”, theksoi Duka.
Presidenti i FSHF-së u ndal edhe te paraqitjet e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane. Egnatia ka siguruar tashmë një vend në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe vijon garën për një vend në fazën e ligës së UEFA Europa League, ndërsa Dinamo City është në play-off-in e Conference League.
Sipas Dukës, rezultatet në Europë tregojnë rritjen e eksperiencës dhe konkurrueshmërisë së klubeve shqiptare, duke theksuar se ky progres duhet të shërbejë si motivim për investime të mëtejshme në akademi, infrastrukturë dhe profesionalizëm.
Në fokus do të jetë edhe afrimi i klubeve me komunitetet. Nisma “Klubi në Komunitet” do të vijojë gjatë sezonit të ri, me synimin për të forcuar lidhjen mes klubeve, tifozëve, familjeve dhe të rinjve.
Duka u bëri thirrje tifozëve të rikthejnë atmosferën në stadiume, duke kërkuar pasion, rivalitet sportiv dhe respekt për kundërshtarin.
“Futbolli shqiptar po rritet dhe këtë rritje duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku”, u shpreh Duka, duke uruar që edicioni i 88-të të jetë një kampionat i bukur, emocionues dhe i karakterizuar nga konkurrenca e ndershme dhe Fair-Play.
/gj.m/j.p/r.e/