E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis edicioni i dytë i takimit kombëtar të monodramës

Fjalimin e hapjes e mbajti aktori Albert Vërria, i cili përshëndeti të pranishmit duke kujtuar se gara në monodramë është një garë sa profesioniste mes aktorëve, po aq dhe emocionuese për publikun, një ngjarje e vërtetë në jetën artistike teatrore.

Në natën e parë interpretoi Florian Agalliu në monodramën "Engjëlli i Gravitetit", shkruar nga Massimo Sgorbiani. Ai përcolli një tragjikomedi të dhimbshme të bazuar mbi një histori të vërtetë të diskriminimit të njeriut. Nga qelia e ngritur simbolikisht në skenë, ai rrëfeu në orët e fundit para ekzekutimit me varje në litar.

Interpretimi i monodramës së dytë, "O jetë", shkruar nga Josip Pejakoviq dhe interpretuar nga Elmir Sejfullai, përcolli një tjetër rrëfim nga burgu, ku kujtimet nga qelia të çojnë në rrjedhën e jetës së përditshme të një njeriu nga zonat rurale, të cilin ngjarje të rastësishme e përfshijnë në një vorbull shkatërruese.

Dy monodramat, kishin një element të përbashkët, qelitë e burgut, por përcjellin realitete të ndryshme përmes kujtimeve. Një i ri në mungesë të dashurisë dhe nën diskriminim njerëzor, shndërrohet në vrasës, ndërsa tjetri, një fshatar punëtor që merr përsipër vrasjen e kryer nga vëllai student dhe vuan në pritje të rifillimit të punës dhe jetës familjare.

Takimi Kombëtar i Monodramës, që nisi mbrëmjen e djeshme dhe do të vazhdojë edhe dy net të tjera, organizohet nga kompania teatrore "Aulona" dhe teatri "Petro Marko" Vlorë, me mbështetjen e bashkisë Vlorë.

Ajo ka karakter garues dhe në juri përfshihen kritiku Miho Gjini, aktorja Ema Andrea dhe Genc Demiraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›