Nis faza e tretë e regjistrimeve në universitete, Xhelaj: Mjekësia, Arkitektura dhe Informatika më të kërkuarat

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Në universitetet e vendit sot ka nisur sot faza e tretë e regjistrimeve të maturantëve për vitin akademik 2025–2026.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RRASH), Arjan Xhelaj, tha sot për mediet se maturantët më të mirë kanë mundur tashmë të bëjnë zgjedhjen e tyre, duke lënë të lira programe të tjera studimi ku kishin rezultuar fitues.
“Ecuria është shumë e mirë. Është dita e pestë sot e regjistrimeve dhe kemi arritur t’i afrohemi shifrës 50% për të regjistruarit. Grupimi i degëve që kanë të bëjnë me shëndetin, infermieria dhe degët e teknologjisë së informacionit dhe inxhinieritë kanë edhe numrin më të madh të regjistrimeve. Udhëheqin degët që lidhen me shëndetin edhe për faktin që aty është Mjekësia e Përgjithshme, i vetmi program që deri më tani ka ezauruar në masën 100% kuotat në dispozicion. Pastaj vazhdon Arkitektura që është ezauruar në masën 99%”, theksoi Xhelaj.
Sipas tij, në degë të caktuara, si Mjekësia, Stomatologjia apo edhe Arkitektura, ka pasur një rritje të kërkesës për regjistrime edhe në universitetet private.
“Është një kufi maturantësh që e kanë ndarë mendjen dhe kanë mundësi financiare për të studiuar në universitete jopublike. Ata regjistrohen që në fillim. Ka disa universitete, pa i përmendur, të cilat që në dy fazat e para ezauruan një pjesë të mirë të kuotave, mbi masën 50% të regjistrimeve,” tha Xhelaj.
Kreu i RRASH-it bëri të ditur se “degët e mësuesisë kanë një ecuri të mirë. Janë mbi 7,5 % që pak a shumë lidhet edhe me numrin e aplikimeve. Edhe programet 2-vjeçare lëvizin tek 10 %”.
Faza e 3-të e raundit të parë është në 2-3 shtator dhe kohëzgjatja është 48 orë. Kandidatët e shpallur fitues në këtë fazë duhet të paraqiten pranë sekretarisë së fakultetit përkatës për të kryer regjistrimin. Pas çdo faze, nëse mbeten kuota të lira, zhvendoset vija e kuqe në listë dhe shpallen fitues të rinj. Këta kandidatë mund të regjistrohen vetëm në fazën pasardhëse./k.s/j.p/