BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Zvicrës në BE nuk është në agjendë, pavarësisht tarifave amerikane

BERLIN, 2 shtator /ATSH-DPA/ – Anëtarësimi i Zvicrës në Bashkimin Evropian nuk është në agjendë, tha sot kancelari gjerman Friedrich Merz, ndërsa priti në Berlin presidenten zvicerane, Keller-Sutter.
Megjithatë, ai u shpreh në favor të paraqitjes së një fronti të përbashkët përballë agjendës konfrontuese tregtare të presidentit amerikan Donald Trump, me tarifa më të larta të vendosura për Zvicrën, e cila nuk është anëtare e BE-së, sesa për bllokun me 27 vende.
“Marrëdhënia midis BE-së dhe Zvicrës duhet të jetë sa më e ngushtë të jetë e mundur”, tha Merz, duke refuzuar të përgjigjej nëse vendi duhet të bëhej anëtari i 28-të i BE-së.
“Marrëdhëniet e Gjermanisë me fqinjin e saj jugor janë të shkëlqyera”, shtoi ai.
Nga ana e saj, Keller-Sutter theksoi se neutraliteti është thellësisht i rrënjosur tek popullsia zvicerane, duke e përshkruar këtë parim si “një tipar të identitetit të popullit zviceran”.
“Në kohën kur stabiliteti dhe siguria juridike nuk mund të merren më si të mirëqena, është e rëndësishme të takohen partnerë me të njëjtin mendim që mbështesin një rend të bazuar në rregulla dhe vlera”, tha Keller Sutter.
Çështja e anëtarësimit të Zvicrës në BE u ngrit së fundi nga ligjvënës të lartë gjermanë pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi tarifa të larta prej 39% mbi importet nga vendi alpin – shumë më të larta se taksa 15% që BE-ja kishte rënë dakord të paguante./ /Ad.Ab./