E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rade Sherbexhija Aktori serb në rolin e shqiptarit që lufton agjentin e CIA-s

02/02/2012  Aktori i njohur serb, Rade Sherbexhija, është tepër i zënë me punë. Sapo ka mbajtur dy koncerte të suksesshme, ka udhëtuar në Paris, ku po përfundon xhirimet për vazhdimin e dytë të filmit “Taken”, me Liam Nesson në rolin kryesor, shkruan e përditshmja beogradase “Blic”. Në aksionin triler me skenar të Luc Besson dhe regji të Olivier Megaton, Sherbexhija luan rolin e shqiptarit Murad, babait të djaloshit të cilin e vret një agjent në pension i CIA-s (Liam Neeson) pasi ia rrëmben vajzën. Në pjesën e parë të “Taken” rolin e Markut, djaloshit tropojan që udhëheq bandën, e cila rrëmben vajzën e agjentit, e luan aktori kosovar që jeton në Francë, Arben Bajraktaraj. Në “Taken 2” ngjarja zhvillohet në Stamboll. Premiera e filmit në ShBA është paralajmëruar më 5 tetor, përderisa producentët presin që të arrijnë suksesin që kanë pasur me pjesën e parë të filmit. Më 2009 “Taken” ka qenë një hit filmik, i cili grumbulloi 226 milionë dollarë. “Filmi kryesisht është xhiruar në Stamboll, ngase pjesa më e madhe e këtij trileri zhvillohet atje. Luaj Muradin, njeriun i cili hakmerret për vrasjen e djalit të tij që - në pjesën e parë të filmit - e qëllon për vdekje Brayan (Liam). Siç është e njohur rrallë shikoj filmat, e kësisoj nuk e kam parë as pjesën e parë të këtij trileri, por shpresoj që do të jetë edhe më i mirë. Roli im është fantastik. Në fakt unë dhe Liam jemi në rolet kryesore”, ka zbuluar Sherbexhija. Edhe pse aktori serb prej kohësh është mik i mirë me Liam, ky është filmi i parë në të cilin luajnë bashkë.

“Ne jemi miq të afërt nëpërmjet familjes Redgrave. Veçmas kam qenë në shoqëri të mirë me bashkëshorten e tij të ndjerë Natasha Richardson, kështu që jemi shoqëruar shpesh. Tashti për herë të parë më është dhënë rasti të luaj bashkë me të dhe të kënaqem. Ai është njëri prej aktorëve më të mëdhenj me të cilët kam bashkëpunuar. Një artist brilant filmi; tepër i sinqertë e i ndershëm”, ka thënë Sherbexhija.

Liam Neeson ka luajtur rolin kryesor edhe në pjesën e parë të filmit “Taken”. Ai e ka pranuar se gjatë qëndrimit në Turqi e ka tepruar duke blerë suvenirë. “Kam blerë magnete që ngjiten në frigoriferë, në formë xhamish dhe toptha dëbore po ashtu me xhami. Më janë bërë obsesion. Më kërkonin 50 centë për copë, por jam shtyrë për çmim. Edhe qilimat e Turqisë janë të mrekullueshëm, por unë thjesht nuk jam adhurues i tyre”, kishte thënë Neeson kohë më parë. Ai e kishte pranuar se ka rënë në dashuri me Stambollin. “Atje kam kaluar dy muaj para Krishtlindjeve. Qytet i bukur, vend i mrekullueshëm. Ata falen pesë herë në ditë. Javën e parë kjo më irritonte, por më vonë jam mësuar dhe e kam kuptuar se sa gjë e bukur është kjo. Në qytet janë katër mijë xhami e disa prej tyre vërtet janë mahnitëse. Me të vërtetë po mendoj të konvertohem në Islam”, kishte thënë ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›