Nis mbledhja e UEFA SES në Tiranë, Duka: Të angazhuar për të ardhmen e futbollit europian dhe komuniteteve

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti sot në Tiranë mbledhjen e rëndësishme të UEFA-s për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale (SES Community), ku morën pjesë përfaqësuesit nga 55 federatat anëtare të UEFA-s.
Në nisje të ditës së parë të mbledhjes, Presidenti i Federatës, Armand Duka, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se të gjithë jemi të angazhuar për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për futbollin europian dhe komunitetet tona.
Presidenti Duka u shpreh se të gjitha federatat luajnë një rol të rëndësishëm, që futbolli të lërë një ndikim pozitiv në jetën e të gjithëve, nga ulja e ndotjes mjedisore tek barazia sociale, jo vetëm në stadiumet e futbollit, por në jetën e shumë njerëzve dhe komuniteteve në të gjithë Europën.
“Takimi i sotëm ka një rëndësi të madhe, sepse ne mund të përfshihemi në diskutime dhe të zbulojmë praktikat më të mira që do të nxisin ndryshime dhe përmirësime ne te ardhmen. Dhe EURO 2024 ishte një shembull i shkëlqyer dhe një sukses i madh kur bëhet fjalë për të qenë të qëndrueshëm”, tha Duka..
Më tej, fjalën e mori Drejtori i UEFA-s për Qëndrueshmërinë Sociale dhe Mjedisore, Michele Uva, i cili fillimisht falënderoi Federatën e Futbollit dhe Presidentin Duka për mikpritjen dhe vlerësoi prezantimin e strategjisë së qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë sociale në prill që shërbeu si indicie për mbajtjen e mbledhjes SES Community në Tiranë.
“Ne si UEFA duhet t’i ndihmojmë të gjithë, por fillimisht duhet të krijojmë një plan veprimi. Ne kemi rritur financimin nga 20-75% të buxhetit tonë, më shumë se 8.5 milionë € për ju, për të financuar projektet tuaja, ndërsa pjesën tjetër e kemi shfrytëzuar për të krijuar mjetet e nevojshme, udhëzime, trajnime dhe mbështeje. Dua të falënderoj Zv.Presidentin e UEFA-s, Armand Dukën, për mbështetjen në këtë organizim. Faleminderit dhe gjithmonë të bashkuar” – tha ai.
Gjatë mbledhjes u diskutuan disa pika të ndryshme që kanë të bëjnë me çështjet mjedisore dhe përgjegjësinë sociale.
Mbledhja e Qëndrueshmërisë Sociale dhe Mjedisore do të vijojë nesër me ditën e dytë të diskutimeve dhe përmbyllet të mërkurën, në datën 30 tetor.