Nis misioni më i madh i solidaritetit, Flotilja humanitare fillon lundrimin drejt Gazës për të çarë bllokadën izraelite

Rreth 20 anije me mbi 300 aktivistë, përfshirë figura të njohura ndërkombëtare, u nisën nga Barcelona për në Gaza, si pjesë e misionit për të thyer rrethimin izraelit dhe për të hapur një korridor humanitar.
Nën moton “Kur bota hesht, ne nisim lundrimin”, një flotilje e përmasave të paprecedenta është nisur këtë të diel nga Barcelona drejt Gazës, me synimin për të çarë bllokadën izraelite dhe për të krijuar një korridor humanitar.
Në bord ndodhen rreth 300 aktivistë nga 44 vende, përfshirë figura si Greta Thunberg dhe ish-kryetarja e Barcelonës, Ada Colau.
Flota pritet të zgjerohet me nisje të tjera nga vende të ndryshme evropiane në ditët në vijim.
Rreth 5,000 qytetarë u mblodhën në Barcelonë për të përshëndetur Flotiljen Globale Sumud, e cila u nis drejt Gazës me mision humanitar.
Sipas mediave spanjolle, rreth 50 anije nga e gjithë Evropa do të bashkohen në disa faza, për të çarë rrethimin izraelit dhe për të dërguar ndihma në Rripin e Gazës.
Anijet e para u nisën nga Barcelona dhe Xhenova, ndërsa më 4 shtator pritet të nisen të tjera nga Tunizia, Greqia dhe Siçilia.
Flota do të bashkohet në ujëra ndërkombëtare, e shoqëruar nga qindra aktivistë nga 44 vende.
Anijet do të nisen nga qyteti port spanjoll për të “hapur një korridor humanitar dhe për t’i dhënë fund gjenocidit kundër popullit palestinez”, siç thotë Global Sumud Fleet, por nuk dihet saktë koha e nisjes dhe numri i anijeve.
Flota pritet të mbërrijë në enklavën bregdetare të shkatërruar nga lufta në mesin e shtatorit, shkruajnë mediat e huaja.
“Ky do të jetë misioni më i madh i solidaritetit në histori, me më shumë njerëz dhe më shumë anije sesa të gjitha përpjekjet e mëparshme të kombinuara”, tha aktivisti brazilian Thiago Avila.
Aktivistët do të organizojnë njëkohësisht protesta në 44 vende “në solidaritet me popullin palestinez”, njoftoi Thunberg.
Përveç Thunberg, flota do të përfshijë aktivistë nga disa vende, ligjvënës evropianë dhe figura publike si ish-kryetarja e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau.
Ndryshe, Izraeli tashmë ka bllokuar dy përpjekje të aktivistëve për të dërguar ndihmë në Gaza me anije, në qershor dhe korrik.
Në qershor, forcat izraelite ndaluan 12 aktivistë në anijen me vela Madleen 185 km në perëndim të Gazës.
Pasagjerët, përfshirë Thunberg, u ndaluan dhe përfundimisht u deportuan.
Në korrik, 21 aktivistë nga 10 vende u ndaluan ndërsa përpiqeshin të arrinin në Gaza me një anije tjetër, Handala.
/rtsh.al/