E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndertimi i rruges se Kosovareve e parashikuar 8 vite me pare

Me një investim prej 86 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i rrugës së “Kosovarëve”, në njësinë bashkiake nr. 5. Kjo rrugë lidh “Komunën e Parisit” me parkun e Liqenit Artificial dhe Unazën e Re. Në këtë rrugë me gjatësi 570 metra do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi do të ketë ndriçim rrugor si dhe do të mbillen mbi 140 pemë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet që po kryhen në këtë rrugë e cila do të ketë përmasat e një bulevardi. Ajo do të ketë një gjerësi prej 12 metrash, me parkime në të dyja anët dhe me trotuare të gjerë 4 metra, në të dy krahët.

“Kjo rrugë është një pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale, (këmbësore) që i lidh me parkun e Liqenit, ndërkohë që funksionon si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë” tha Basha.

Pavarësisht kohës së paqëndrueshme në të cilën kanë nisur punimet në infrastrukturën tejet të rënduar të qytetit të Tiranës dhe në një pjesë të saj të pavënë asnjëherë dorë më parë, Kryebashkiaku Basha tha se këto punime do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kontrata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›