E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nis pastrimi i kolektorëve, Beci: Të bllokuara nga ndërtimet pa kriter të së kaluarës

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike të bashkisë Shkodër së bashku me Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime po punojnë për pastrimin e kolektorëve.

Nisur nga situata e krijuar një javë më parë si pasojë e reshjeve të shiut, ku në disa zona pati probleme nga bllokimi i kolektorëve, bashkia mori masa për kthimin në normalitet të tyre.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci inspektoi nga afër punimet që po kryhen.

“Prej ditësh, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike dhe Ujësjellës Kanalizime po punojnë për pastrimin e kolektorëve të shkarkimit të ujërave në qytetin tonë. Por, në punë e sipër, jemi përballur me bllokime pa kriter, të trashëguara në vite, që e kanë kthyer këtë sistem kullimi në një mision të pamundur për qarkullimin e ujit nga ndërtimet pa kriter”, tha Beci.

Kryebashkiaku Beci u shpreh se “kemi hartuar një plan pune me institucionet tona dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit për të ndërhyrë pa asnjë kompromis për lirimin e këtyre hapësirave dhe çlirimin e këtyre kolektorëve që kthehen në rrezik për qytetin sa herë ka reshje shiu. Një punë që do ta bëjmë bashkë me komunitetin në shërbim të Shkodrës”.

“Bashkia e Shkodrës ka ngritur një grup të përbashkët pune, për evidentimin e të gjithë ndërtimeve, avlli apo gardhe të cilat bllokojnë sistemin e kullimit të qytetit në këto kolektorë dhe do të ndërhyhet për pastrimin e plotë të tyre, me qëllim që Shkodra të mos jetë peng i këtyre bllokimeve për të cilat sjellin prezencë uji në disa zona të qytetit të Shkodrës”, tha Beci.

1 nga 7

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›