E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis procesi i legalizimit për rreth 500 objekte përgjatë gjurmës së hekurudhës në Tiranë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi se ka nisur procesi i trajtimit për formalizimin e ndërtimeve informale në zonat përgjatë gjurmës së hekurudhës, duke përfshirë Njësitë Administrative 9 dhe 11, si dhe zonat e Mëzezit, Katundit të Ri dhe Kasharit.

Sipas njoftimit, procesi parashikon trajtimin e rreth 500 objekteve të identifikuara në këto zona. Në bashkëpunim me hekurudhën shqiptare është përcaktuar me saktësi gjurma e hekurudhës, çka ka mundësuar evidentimin e plotë të ndërtimeve të pozicionuara përgjatë saj.

“Drejtoritë Vendore Tiranë Veri dhe Tirana Rurale 2 kanë nisur verifikimet në terren dhe po trajtojnë çdo objekt të ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit, që plotëson kushtet ligjore për legalizim, pavarësisht nëse është kryer apo jo vetëdeklarimi në periudhat e mëparshme”, thuhet në njoftim.

Kadastra informon se “për objektet e ndërtuara brenda afateve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe që nuk janë vetëdeklaruar më parë, qytetarët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin përkatës gjatë verifikimeve në terren dhe të kryejnë pagesën e shërbimit, duke mundësuar nisjen e menjëhershme të procedurave të trajtimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës”.

Sipas ASHK-së, procesi i legalizimit përfshin verifikime të detajuara për secilin objekt, ndërsa bashkëpunimi i qytetarëve konsiderohet thelbësor për përshpejtimin dhe përfundimin me sukses të procedurave.

Institucioni u bën thirrje banorëve të objekteve të identifikuara përgjatë hekurudhës të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit, me qëllim garantimin e një procesi të shpejtë, të saktë dhe transparent legalizimi.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›