E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis projekti për digjitalizimin e artistëve shqiptarë

Një lajm i mirë për komunitetin artistik. Nga viti i ardhshëm do të krijohet databaza me të dhënat bio dhe bibliografike, projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në konferencën për media zyrtarët e organizatës “Truni”, e cila është dhe bartëse e projektit, kanë folur për detajet e këtij projekti, si dhe për mundësitë e shumta që do t’u ofrojë kjo databazë komunitetit të gjerë artistik.

Ani pse 99-vjetori i pavarësisë i gjeti shqiptarët të ndarë në dy e më shumë shtete, 100-vjetori i ditës së flamurit, do të bashkojë artin dhe kulturën shqiptare në një vend, për ta prezantuar atë si të vetme në botë.

Ky është projekti për digjitalizimin e artit dhe kulturës shqiptare, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që pritet të nisë nga janari i vitit të ardhshëm.

Edhe pse ka pasur përpjekje për digjitalizimin e të dhënave të artit e artistëve nga institucione të ndryshme kulturore, ndonëse me formate më specifike, ky projekt është i pari i këtij lloji, sepse ka karakter gjithëpërfshirës të shtatë llojeve të njohura të artit, thotë Krenare Lleshi, asistente koordinatore e projektit.

“Realizimi i këtij projekti është i rëndësishëm për shumë arsye: do të rregullojë tregun e egër dhe kaotik të botës artistike shqiptare, do të mundësoj identifikimin e artistëve shqiptar dhe krijimtarinë e tyre, do të lehtësojë kërkimin mbi të dhënat biografike dhe krijimtareske. do të ofrojë mundësi në krijimin e kontakteve dhe pjesëmarrjen në botë, do të ruaj artin e mirëfilltë nga ai pavlera.”

Ndërkaq Ana Frangu nga organizata bartëse e projektit “Truni”, ka folur për detajet e projektit, si procesin e regjistrimit dhe mundësitë e shumta që do t’u ofrojë artistëve kjo databazë elektronike.

“Regjistrimi do të jetë falas, si dhe komunitetit artistik do t’u ofrohet mundësia e qasjes individuale, nëpërmjet sistemit të kyçjes në profil, për të plotësuar dhe përditësuar aktivitetet e tyre artistike. Gjithashtu, atyre do t’u ofrohet mundësia e informimit për ngjarjet kulturore dhe artistike mbarëkombëtare, ose dhe e aplikimit nëpër festivalet dhe evenimentet e shumta që mbahen kudo në botë. Ndërsa artistëve do tu bëhen fotografi profesionale falas enkas për portal.”

Frangu thotë se projekti ka marrë mbështetjen e komunitetit artistik dhe asociacioneve kulturore, ndërkaq do të krijohet edhe një komision nga profesionist dhe njohës të artit shqiptar, të cilët do të monitorojnë gjithë procesin e regjistrimit.

Por meqë projekti është i madh dhe i kushtueshëm, faza e parë e punës do të përqendrohet në artistët shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë në Kosovë dhe ata në diasporë.

Kurse nga mesi i vitit 2012 ky projekt pritet të bartet edhe në Shqipëri, ndërkaq në fund të vitit pritet të jetë i gatshëm edhe sesioni në anglisht i databazës. /KosovaInfo/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›