Nis puna për argjinaturen e Vjosës, ndërhyrja forcon mbrojtjen lumore pas dëmtimeve nga përmbytjet e janarit

Bashkia e Fierit ka nisur riparimin e dëmeve në argjinaturën e Vjosës, të shkaktuara nga përmbytjet e janarit. Ndërhyrja parashikon edhe ngritjen e nivelit të saj nga 10 deri në 45 centimetra në Degën e Martinës dhe deri në 1 metër në kolektor.
Investimi synon rritjen e rezistencës së argjinaturës ndaj prurjeve të Vjosës dhe mbrojtje më të mirë të zonës.
“Janë bërë investime nga bashkia për ngritjen e argjinaturës në segmente të ndryshme. Është bërë zona e Ferrasit vitin e kaluar dhe deri tani janë bërë afërsisht 4000-4400 metër linear”, tha Mimoza Duka, inxhiniere e Bordit të Kullimit dhe Ujitjes.
Nga vërshimet u dëmtua bankina e Degës së Martinës, që shërben edhe si argjinaturë, por ajo i rezistoi prurjeve rekord duke shmangur përmbytje më të mëdha në zonë.
“Argjinatura në fshatin Ferras që ne e kemi bërë vitin e kaluar dhe argjinatura tjetër ku kemi bërë dy investime i rezistuan edhe kësaj përmbytje që ka ndodhur”, shtoi Duka.
Ndërhyrja përfshin rreth 3400 metra linearë, ndërsa pas përmbytjeve të vitit 2017 në këtë segment u investua në rreth 4600 metra të tjerë.
/rtsh.al/