Rikonstruktohet Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan, investim 392.6 milionë lekë për standarde moderne shërbimi

Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan është rikonstruktuar tërësisht, në kuadër të investimeve të Qeverisë për transformimin dhe modernizimin e Policisë së Shtetit. Investimi, me vlerë 392.6 milionë lekë, synon përmirësimin e kushteve të punës për efektivët dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, sipas standardeve evropiane.
Ambientet e reja përfshijnë hapësira moderne pune, ambiente të dedikuara për pritjen e qytetarëve dhe kushte më dinjitoze e komode për punonjësit e policisë, duke marrë në konsideratë edhe orët e zgjatura të shërbimit.
Gjatë inspektimit të ambienteve të rikonstruktuara, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u shpreh se investimi është pjesë e një programi më të gjerë modernizimi të Policisë së Shtetit.
“Jemi këtu në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit për të parë nga afër ambientet e rikonstruktuara, një investim i jashtëzakonshëm i qeverisë. Plot 392.6 milionë lekë janë investuar për krijimin e kushteve moderne në shërbim të qytetarëve dhe për kushte dinjitoze pune për efektivët. Çdo investim në infrastrukturë shoqërohet edhe me investime në teknologji për më shumë siguri, rend dhe qetësi. Ky investim është në vazhdën e investimeve të realizuara në Shkodër, Dibër dhe Komisariatin e Krujës, ndërsa puna do të vijojë në të gjitha komisariatet dhe drejtoritë vendore në të gjithë vendin”, tha Lamallari.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, theksoi se rikonstruksioni do të ndikojë jo vetëm në përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e policisë, por edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
“Kjo nuk do t’i shërbejë vetëm Policisë për kushte më moderne pune, por edhe rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Me këto investime përmirësohet edhe ruajtja e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Hita.
Transformimi dhe modernizimi i Policisë së Shtetit po vijon me investime në infrastrukturë dhe teknologji, me synimin për të garantuar standarde më të larta shërbimi dhe më shumë siguri për qytetarët në të gjithë vendin.
/rtsh.al/