E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis sonte Festivali i Këngës në RTSH

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Festivali i 64-t i Këngës në RTSH nis sonte në Pallatin e Kongreseve.

Një juri me emra të njohur të artit e të kulturës do të gjykojë mbi 28 artistët pjesëmarrës në garë. Krijimet e reja muzikore do të konkurrojnë nga 17-20 dhjetor.

Maratona e 4 netëve të Festivalit të Këngës në RTSH do të nisë me një performancë nga drejtoresha artistike, Elhaida Dani. Më tej do të vijohet me prezantimin e këngëve konkurruese, në dy netët e para. Nata e tretë do t’i kushtohet nostalgjisë, ndërsa nata e katërt do të jetë finalja e madhe.

Disa nga artistët pjesëmarrës në këtë edicion janë: Fifi dhe Tiri Gjoci, Alis, Vedat Ademi, si edhe artistë si Evi Reçi, Erik Lloshi, Kamela Islamaj, grupi 2 Farm, Erand Sojli, etj.

Tommy Cash është i ftuari special i natës finale. Përfaqësuesi i Estonisë në Eurovizion, do të performojë për publikun shqiptar, këngën që e bëri të famshëm në gjithë botën, “Espresso macchiato”.

Siç është bërë traditë, fituesi i këtij edicioni do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2026”, që do të zhvillohet në maj të vitit të ardhshëm në Austri.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›