Berisha: Opozita do të vijojë protestat me të gjitha format

TIRANË, 18 prill / ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë protestat e saj, të cilat ai i cilëson si “paqësore”, deri në atë që e quan “triumfin e plotë”.
“Sot jemi forca politike më e mbështetur se kurrë më parë nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në rajon, në Europë dhe në botë. Ndaj dhe të vazhdojmë me vendosmëri të palëkundur në misionin tonë historik të përmbysjes së diktaturës së dytë në Shqipëri, diktaturës së narkosit Edi Rama”, tha ai.
Berisha ka akuzuar forcat e rendit për përdorim të tepruar force ndaj protestuesve dhe për trajtim të papërshtatshëm të disa të ndaluarve gjatë tubimeve të fundit në Tiranë. Ai ka pretenduar gjithashtu se ndaj pjesëmarrësve në protesta janë përdorur metoda të forta ndërhyrjeje.
“Ne ndjekim të gjithë guximtarët tanë të arrestuar nga policia pa asnjë fakt dhe krejtësisht për qëllime politike. Mendoj se protesta jonë është jetike dhe vendimtare”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD ka përsëritur thirrjet për mobilizim të gjerë qytetar, duke iu drejtuar kategorive të ndryshme sociale që të bashkohen me aksionin opozitar, ndërsa ka theksuar se protestat mbeten, sipas tij, forma kryesore e veprimit politik të opozitës në kushtet aktuale.
“U siguroj se në këtë betejë ne do konsiderojmë të gjitha format e protestave”, tha Berisha.
Berisha ngriti gjithashtu shqetësime për funksionimin e institucioneve dhe proceset parlamentare, duke pretenduar pengesa në veprimtarinë e opozitës.
“Në parlament ju e shihni, e kanë mbyllur parlamentin. Ju e dini që pasi ka bllokuar hetimet e SPAK-ut, nuk lejon asnjë komision hetimor në parlament Edi Rama”, tha ai, teksa nënvizoi se “protestat, janë dëshmia më e fuqishme, më e rëndësishme e ekzistencës së një opozite të pavarur që ka për mision dhe që synon largimin e Edi Ramës nga pushteti”.
Gjithashtu, kreu i PD tha se “strategjia edhe mund të ndryshojë, por protestat do të vazhdojnë si rruga e vetme për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë as nuk trembemi, as nuk frikësohemi, as nuk mposhtemi dhe nuk pranojmë kurrë qëndrimin e kësaj organizate kriminale ndaj shqiptarëve”.
e.xh/ /a.g/