Nis vaksinimi kundër gripi në Fier, shpërndahen 25 mijë doza

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Fushata e vaksinimit kundër gripit ka nisur në të gjitha qendrat shëndetësore të Fierit, Patosit dhe Roskovecit.
Sipas medieve, rreth 25 mijë doza të vaksinës trivalente janë shpërndarë në qendrat shëndetësore që mbulon Njësia e Kujdesit Shëndetësor Fier, për të siguruar mbrojtjen e kategorive më të rrezikuara nga komplikacionet e gripit sezonal.
Shefja e epidemiologjisë Anila Moçi tha në një prononcim për mediet se të moshuarit dhe të sëmurët kronikë me imunitet të dobët dhe sëmundje bashkëshoqëruese janë kategoritë që duhet të vaksinohen kundër gripit.
Moçi tha se “vaksinimi rekomandohet për fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, mësuesit, efektivët e policisë, grupmoshat mbi 60 vjeç dhe gratë shtatzëna, ndërsa këtë vit një kujdes i shtuar janë edhe personat që vuajnë nga diabeti”.
Këtë vit, një vëmendje e veçantë u kushtohet edhe personave që vuajnë nga diabeti.
Fieri renditet ndër qarqet me numrin më të lartë të vaksinimeve, që sipas të dhënave ka ndikuar në uljen e ndjeshme të rasteve fatale nga komplikacionet e gripit.
/e.i/a.f/