E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasioni për Vespa-n dhe mesazhi i Tetorit Rozë bashkojnë motoristët në Tiranë

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Një grup individësh të apasionuar pas motorëve Vespa nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia u mblodhën sot në Tiranë, në edicionin e 13-të të “Vespa Parade Tirana 2026”.

Aktiviteti solli në kryeqytet adhurues të motorëve klasikë, duke ndërthurur pasionin për Vespa-n me shkëmbimet kulturore, miqësinë dhe solidaritetin mes vendeve pjesëmarrëse.

Festimet u përqendruan në sheshin “Skënderbej”, ku ishte parashikuar edhe një instalacion simbolik, kushtuar miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë.

Edicioni i këtij viti përkon me 80-vjetorin e krijimit të Vespa-s dhe 80-vjetorin e Republikës Italiane, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë simbolik.

Përveç karakterit festiv, parada përcolli edhe mesazhe ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”. Pjesëmarrësit vendosën fjongo rozë në motorët e tyre, si shenjë solidariteti dhe për të rikujtuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Programi nisi në orën 11:00 me mbërritjen dhe regjistrimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”. Motorët Vespa parakaluan në rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa aktiviteti vijoi me ceremoni festive dhe muzikë live.

“Vespa Parade Tirana 2026” u zhvillua me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, me synimin për të promovuar shkëmbimet kulturore dhe për të forcuar miqësinë mes vendeve pjesëmarrëse.

Nga aktiviteti i Vespa Parade në Tiranë 1 nga 10

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›