E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis viti i ri shkollor, politika uron nxënësit dhe mësuesit: Suksese të gjithëve, të angazhuar në një mësim cilësor

Politika ka uruar nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin për një vit të ri të mbarë dhe të suksesshëm shkollor. Rreth 350 mijë nxënës nisin vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa 25 shkolla të reja hapin dyert duke siguruar një mësim cilësor.

Duke u uruar suksese dhe mbarësi sidomos nxënësve që ulen në bankat e shkollës për herë të parë, Begaj thotë se është ky brez që do të krijojë një të ardhme më të mirë për të gjithë.

“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor! Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes.  Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkruan Begaj.

Edhe kryeministri Edi Rama ka uruan një vit të mbarë shkollor për të gjithë.

“Urime për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit e prindërit e Shqipërisë, për një vit të mbarë shkollor”, shkruan Rama.

Urimet kanë ardhur edhe nga  Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.

“350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës. 25 shkolla të reja kanë hapur dyert e tyre sot, duke mirëpritur rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Kemi investuar në 200 shkollave me 216 laboratorë SMART, ku rreth 35 mijë nxënës do të përfitojnë nga programet e reja të TIK dhe programimit”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu uroi suksese për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në këtë rrugëtim të ri arsimor, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkaq, me nisjen e vitit të ri shkollor, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballaku shkruan se Shqipëria ka shkolla të reja apo të rikonstruktuara sipas standardeve më të larta, “me klasa , laboratorë e ambiente rekreative, por sot disa nga shkollat anembanë vendit po rinovohen me parimin dhe standardet evropiane të efiçencës energjetike”.

Sipas Ballukut, MIE dhe AEE kanë një plan për projekte të ngjashme në vazhdim, duke garantuar ambiente mësimore optimale për fëmijët kudo në Shqipëri.

“Sot, është një ditë e veçantë e me plot emocion për çdo fëmijë e prind dhe në veçanti për ata të cilët ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Një falënderim me zemër në ditë si kjo, shkon për çdo punonjës të sistemit arsimor, për punën e palodhur dhe kontributin e çmuar që japin çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.

Çdo mësues i këtij vendi ka të gjithë mirënjohjen tonë, teksa çdo ditë përpiqemi të bëjmë më të mirën për të garantuar kushte më të mira për arsimimin e fëmijëve tanë.

Sot, 🇦🇱Shqipëria në çdo cep të saj, ka shkolla të reja apo të rikonstruktuara sipas standardeve më të larta, me klasa , laboratorë e ambiente rekreative, por sot disa nga shkollat anembanë vendit po rinovohen me parimin dhe standardet evropiane të efiçencës energjetike.

MIE dhe AEE kanë një plan të plotë për projekte të ngjashme në vazhdim, duke garantuar ambiente mësimore optimale për fëmijët kudo në Shqipëri. Jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, ndaj po punojmë çdo ditë e më shumë. Suksese e një vit sa më të mbarë shkollor!”, shkruan Balluku në rrjetin social në Facebook.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›