E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis vjelja e patates në QTTB Korçë – 18 kultivarë në fazë eksperimentimi

Në fushat eksperimentale të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë ka nisur vjelja e patates, ndërsa specialistët po vlerësojnë rendimentin dhe përshtatjen e 18 kultivarëve të rinj me kushtet klimatike të zonës.

Ky është viti i parë i prodhimit për kultivarët që ndodhen aktualisht në fazën e testimit. Rezultatet po krahasohen me kultivarin Agria, një prej më të përhapurve në zonën e Korçës, i cili prej vitesh ka dhënë rendimente të mira dhe është kthyer në zgjedhje kryesore për fermerët.

Arben Malo, specialist i bimëve të arrave në QTTB, tha: “Janë identifikuar 18 lloje patatesh, të cilat përdoren në katër fusha sipas sistemit të rondanizuar. Shumica e tyre gjenden në gjendje shumë të mirë, të paprekura nga krimbi apo probleme të tjera që lidhen me sëmundjet e patates.”

Eksperimentet në këto parcela zhvillohen për një periudhë 3 deri në 5 vjeçare, gjatë së cilës monitorohen tregues të prodhimit, cilësisë dhe përshtatjes së kultivarëve.

“Bëhet seleksionimi dhe përpunimi i materialeve për t’u hedhur në fletoret përkatëse dhe për të parë rezultatet në vitet e ardhshme. Krahasuar me vitet e kaluara, kemi dy kultivarë që kanë dhënë rezultate më të mira se ato të testuara më parë,” – shtoi Malo.

Farat e përdorura janë të certifikuara dhe sigurohen përmes Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve, duke garantuar gjurmueshmërinë dhe cilësinë e materialit mbjellës.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›