Nis vlerësimi i dramave shqipe

Janë bërë të ditur për publikun emrat e jurisë që do të bëjë vlerësimin e dramave, të cilat konkurrojnë për shpërblimin për dramën më të mirë shqipe. Janë këta dramaturgu Mihal Luarasi, aktorët Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo e Sesilia Plasari, dramaturgu Bashkim Hoxha dhe studiuesi i letërsisë Basri Çapriqi.
Juria do të duhet të shqyrtojë 30 vepra dramaturgjike të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Në mesin e pjesëmarrësve dhe dramave që konkurrojnë për shpërblim janë: Teodor Laço, me “Vatani i Harruar” e “Toka Ime”; Odise Plaku, me “Shtëpia e Re”; Osman Goranci, me “Zonja me Maskë”; Bashkim Kozeli, me “Ëndrra e Ismail Qemalit”; Skifter Këlliçi, me “Gjyqi i Tradhtisë së Lartë”; Hekuran Zhiti, me “Të Mblidhemi në Lushnjë”; Stefan Çapaliku, me “Provat Gjenerale të Pavarësisë”; Gazmend Krasniqi, me “Edipi Kërkon Autor”; Agim Shehu, me “Dhimbjet e Lirisë”; Sokol Angjeli, me “Ditë sa Njëqind Vjet”; Ruzhdi Pulaha, me “Burri që Nuk Vdes Dot”, etj.
Ndryshe, në konkurs është kërkuar autorët të trajtojnë një temë historike, që evokon një ngjarje të madhe të historisë kombëtare. Pritet që në fund të muajit gushtit juria të dalë vendimin për tre emrat fitues. Fituesi i çmimit të parë do të shpërblehet me 500,000 lekë, i dyti me 300,000 lekë dhe i treti me 200,000 lekë. Nga ana tjetër, teksti fitues i çmimit të parë do të vihet në skenë, dhe pastaj do të marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, i cili do të mbahet në muajin nëntor.