Nishani: Reformat në sistemin e drejtësisë, sfidat kryesore për shoqërinë dhe institucionet shqiptare
Presidenti Nishani mbyll vizitën në SHBA, takon Zëvendës/ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, Philipp Reeker
Agjenda e vizitës njëjavore e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara u përmbyll me një takim me Zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Philipp Reeker.
Presidenti Nishani shprehu keqardhjen për sulmin ndaj selisë diplomatike amerikane në Libi, ku mbetën të vrarë Ambasadori amerikan atje, Chris Stevens, së bashku me një funksionar dhe dy marinsa.
Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që SHBA-të kanë dhënë për demokratizimin e vendit. Kryetari i Shtetit dhe Zëvendësndihmëssekretari Reeker diskutuan mbi çështjet e zhvillimeve të brendshme në Shqipëri dhe në rajon.
Kreu i Shtetit u fokusua te reformat në sistemin e drejtësisë si një nga sfidat kryesore, me të cilat përballet shoqëria dhe institucionet shqiptare, duke e informuar zyrtarin amerikan mbi platformën e tij për kthimin e besimit të gjyqtarëve te sistemi i drejtësisë.
Duke u ndalur në këtë çështje, Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit Philipp Reeker theksoi rëndësinë e kontributit dhe angazhimit konkret të Presidentit të Republikës për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e shtetit ligjor.
Sa i përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Nishani nënvizoi se Shqipëria i zhvillon marrëdhëniet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe mbi parimin e fqinjësisë së mirë duke vënë në dukje se nevojitet rikthimi në një kohë të shpejtë i dialogut mes palëve, çka do të krijonte një dinamikë të re për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit, Kryetari i Shtetit duke i vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si marrëdhënie të nivelit të lartë, inkurajoi rritjen në këto nivele edhe të marrëdhënieve ekonomike.