Aleanca PS-LSI, Fino: PS e hapur për të gjithë. Vasili: Nuk përjashtohet
Kur duhen edhe tetë muaj për të mbërritur në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, kanë nisur të shfaqen qëndrimet për mundësinë e një koalicioni PS-LSI. Deputeti socialist, Bashkim Fino dhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, gjatë intervistave për “AS” nuk përjashtojnë një aleancë të tillë.
“LSI është pjesë e një marrëveshjeje politike, e cila e ka zbatuar me korrektesë dhe do ta përmbushë përsëri me korrektesë. Në momentet parazgjedhore do të ndodhë një vlerësim i gjithçkaje që ka ndodhur, të funksionit, të rezultateve të prodhuara, performacën politike, perceptimit dhe ndjesive që anëtarësia ka. Forumet dhe anëtarësia e LSI-së do të vendosë mbi strategjinë elektorale të ardhëshme të zgjedhjeve të vitit 2013“, deklaroi Vasili.
Edhe sekretari socialist, Bashkim Fino, konfirmon se partia Socaliste ka nisur levizjet për zgjerimin e koaliconit opozitar.
“Në qoftë se çdo forcë politike, që ka si qëllim final rrëzimin e kësaj qeverie dhe që bashkohet pak a shumë në programet tona, ne jemi të hapur për ta zgjeruar koalicionin dhe nuk mund ti mbyllim derën asnjë force politike që kërkon të rreshtohet në grupimin tonë për zgjedhjet e ardhëshme 2013“, deklaroi Fino.
Ndërkohë nënkryetari i LSI-së i përgjigjet edhe qëndrimeve të zyrtarëve të PD-së, sipas të cilave, PD mund të fitojë zgjedhjet edhe pa LSI.
“Ka qenë një vendim i jo i lehtë përt të bërë një aleancë me Partinë Demokratike. Interesat e vendit dhe të integrimit na e imponuan atë kohë këtë vendim dhe asnjë në LSI nuk ka asnjë dilemë për drejtësinë e këtij vendimi. Korrektesa jonë ka qenë pa asnjë te metë, korrektesë që na ka shoqëruar dhe në zgjedhjet e vitit 2011, pa të cilën disa objektiva elektorale të maxhorancës nuk do të realizoheshin“, deklaroi Vasili.
Ndërsa Bashkim Fino shprehet optimist se socialistët do të udhëheqin një kaolicion të madh në zgjedhjet e vitit 2013.
“Ne i kemi dhënë mesazhet, i ka dhënë kryetari i kemi dhënë dhe ne. Natyrisht që është shumë herët për të thënë, por mesazhet janë inkurajuese dhe janë për bashkëpunim të gjithanshëm“, deklaroi deputeti socialist.
Fino e Vasili reaguan pas komenteve në media për një takim të mundshëm Rama-Meta në Bruksel, të pranishëm në kongresin e Partisë Socialiste Europiane. Zërat për një aleancë PS-LSI ,vijnë në një situatë, kur zyrtarë të PD-së kanë deklaruar se aleanca me Metën nuk është e domosdoshme për të fituar zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.