E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani betohet si President nesër në orën 18:30

Bujar Nishani, ne momentin e zgjedhjes President

TIRANE- Bujar Nishani do të betohet nesër si President i Republikës së Shqipërisë.

Pas zgjedhjes nga parlamenti dhe mbarimit të mandatit të Presidentit, Bamir Topi, Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar nesër në orën 18:30 seancën e posaçme ku do të bëjë betimin si President, Nishani.

Mësohet se pas betimit , Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani do të mbajë një fjalë të shkurtër. Të pranishëm në këtë seancë do të jenë trupi diplomatik, si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare në vend.

Nishani u zgjodh President me 73 vota, vetëm me të maxhorancës, ndërsa opozita ishte e pranishme në seancë por nuk mori pjesë në votim. Vetëm dy ditë më parë, Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, përmes një letre dërguar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, e njoftoi për largimin nga anëtarësia e PD dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti.

Presidenti në ikje, Bamir Topi mbajti ndërkaq sot nje fjale te fundit para qytetareve shqiptarë.

Nga pedagog në Akademi te karriera në PD

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, vjen nga strukturat e Partisë Demokratike. Në CV-në e tij, karriera e tij është e ndarë në dy drejtime, deri në 1997 në pozicione të lidhura me Forcat e Armatosura dhe nga viti 2001 nis ngjitjen në hierarkinë e PD-së. Në 1989, Nishani ka qenë pedagog në akademinë ushtarake Skënderbej; në 1993 ka mbuluar marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes; në 1994, marrëdhëniet me NATO-n në Ministrinë e Jashtme, në 1996 ka qenë në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes dhe në 1997, kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë. Pas katër vjetësh, në 2001, ka marrë detyrën e sekretarit të degës së PD-së së Tiranës dhe dy vjet më vonë është zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga lista e selisë blu. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, ai u caktua në një prej zonave bastion të PS-së, në Kombinat, ku garonte përballë ministrit të Rendit të asaj kohe, Igli Toska. Nishani mori mandatin e deputetit në këto zgjedhje dhe dy vjet më vonë u bë ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e vitit 2009 u bë sërish deputet në qarkun e Tiranës dhe deri në 2011-n mbajti postin e ministrit të Drejtësisë. U rikthye në Ministrinë e Brendshme pas zgjedhjeve të 8 majit, deri ditën kur u votua si President i Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›