E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha apel Ramës: Kompromis për imunitetin

Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se kërkon të bëjë pazare duke bllokuar heqjen e imunitetit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Berisha theksoi se Rama kërkon në shkëmbim të heqjes së imunitetit që të gjithë krerët e institucioneve të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit.

“Ajo që është bizare është se Rama e lidh heqjen e imunitetit me pazare për drejtësinë. Por çfarë kërkon në shkëmbim zoti Rama? Atë që ndodhi me Avokatin e Popullit që e mbajti dy vjet pa kryetar. Kërkon që të gjithë krerët, të gjykatës së lartë, të gjykatës kushtetuese, të prokurorisë të përgjithshme, të presidentit të emërohen me mekanizmin e Avokatit të Popullit që do të thotë ose zgjedhje e tyre në zyrat e fidelit ose mbajtje e institucioneve pa kokë” theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se kryesocialisti Rama kërkon që në vend të sundojë pakica dhe kjo sipas tij nuk do të vendoset kurrë. “Ky është kusht e sundimit të pakicës dhe kjo kurrë nuk do ti vendoset këtij vendi. Kanë ikur kohërat kur një pakicë mund të sundojë këtë vend. Nëse ne do të bënim këtë kërkesa tjetër e Ramës do të ishte që kryeministri të zgjidhej me 84 vota. Këto janë standartet e tij.
Rama mban peng imunitetin për shkak të një kupole të ngushtë të cilët duke e ditur qartë se me këtë kurs ajo parti i largohet horizontit të pushtetit me shpejtësi duan ta diktojnë marrjen e pushtetit nga pakica ndërmjet kushtetutës të pakicës bllokuese . Kjo praktikë është absolutisht e pamundur” theksoi Berisha.
 

Berisha gjithashtu i ka bërë thirrje Ramës që të përfillë interesat e qytetarëve shqiptarë, të lërë mënjanë pazaret dhe të studiojë qartësisht tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite.

Kryeministri Berisha gjithashtu ka vlerësuar figurën e poetit Ali Podrimja i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Francë. Berisha e cilësoi poetin Podrimja si gjeniun e poezisë dhe themeluesin e poezisë moderne shqiptare duke e renditur përkrah shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj si Naimi, Fishta apo Noli.

“Javën që kaloi kombi shqiptar humbi letrat dhe mendimin intelektual. Bota e dijes humbi njërin prej personaliteteve, humbi princin e poezisë shqiptare poetin Ali Podrimja. Ai ishte gjeniu i poezisë dhe këngës së këtij kombi që themeloi poezinë moderne të shqiptarëve. Një komb me trashëgimi të shkëlqyer letrare, poetike dhe folklorike pati tek ky burr i madh themeluesin e poezisë së tij moderne. Cilido që lexon Ali Podrimën gjen tek ai Naimin me aspektet e tij, Çajupin, Fishtën, Nolin dhe gjen të gjithë klasikët e letërsisë sonë” tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›