E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani me policinë e Shkodrës e Lezhës: Garantoni zgjedhjet

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë një takimi me strukturat policore të Shkodrës dhe Lezhës thesksoi rëndësinë e krijimit të një klime të sigurtë për të gjithë qytetarët gjatë votimeve më 8 maj.

Nishani nënvizoi si detyrë parësore për Policinë e Shtetit garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe të një klime të sigurtë që të gjithë qytetarët të ushtrojnë lirisht e të qetë të drejtën e votës.

Partitë politike bëjnë garën e tyre. Për ju udhëheqës është ligji dhe rregullorja. Duhet të garantojmë që qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike të ndihen në një ambjent të sigurtë për ushtrimin e të drejtës së votës -deklaroi ministri Nishani.

Nishani vlerësoi punën e efektivave të policisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit të bimëve narkotike, si dhe kontributin e Policisë së Shtetit në përballimin e situatave të vështira natyrore në këto dy qarqe.

Gjatë këtyre takimeve Nishani shoqërohej nga zv.ministri, Avenir Peka dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Hysni Burgaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›