E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani shuplakë Maqedonisë, bojkoton samitin e Ohrit

Brukseli reagon ndaj mospërfaqësimit të Kosovës në Ohër

nishani-jahjagaPresidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani nuk do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve të SEECP, që do të zhvillohet në Ohër më datë 1-2 qershor 2013. Shkak për këtë është bërë mungesa e ftesës për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Deklarata
“Presidentja Jahjaga, nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë eveniment, në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut që mbizotëron në rajon dhe që lehtëson arritjen e synimit të përbashkët, atë të integrimit evropian. Lënia e Kosovës jashtë Samitit është bërë nën presionin e Serbisë, në kundërshtim të hapur me marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe më konkretisht në shkelje te nenit 14 të Marrëveshjes Thaçi-Daçiç të nënshkruar në Bruksel, më 19 prill, 2013″ thuhet ne deklaratën e shpërndarë nga Presidenca.
Brukseli
Refuzimi i autoriteteve të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për t’i dërguar Kosovës ftesë për pjesëmarrje në Samitin e SEECP’së (South Eastern Europe Cooperation Process), ka nxitur reagimin e Bashkimit Europian. Zyra e Baroneshës Ashton, megjithatë ka reaguar butë ndaj mospranisë së Kosovës në këtë Samit, pavarësisht se gjatë dialogut teknik Kosovë-Serbi ishte pikërisht kjo zyrë që kishte ndërmjetësuar marrëveshjen për përfaqësimin rajonal me fusnotë të Kosovës. Maja Kocijancic zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka deklaruar për të martën për Express se bashkëpunimi rajonal duhet ta ketë për bazë gjithëpërfshirjen. Unë mund të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të bazuar në gjithëpërfshirje” thuhet në një përgjigje të shkurtër të Kocijancic për Express. Ajo nuk ka komentuar në mënyrë specifike për mungesën e Kosovës në këtë takim. Samiti i SEECP’së në nivel të Presidentëve mbahet më 1 qershor në Ohër. Aty pritet të marrin pjesë shefat e shteteve anëtare të këtij mekanizmi. Por nga shtetet e rajonit nuk do të marrë pjesë Presidentja Atifete Jahjaga për shkak të kushtëzimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Për shkak të mospranisë së Kosovës, pjesëmarrjen në nivel të Kryeparlamentarëve e ka anuluar Kryeparlamentarja e Shqipërisë Jozefina Topalli, gjithashtu edhe Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani.

Vuçiç: Serbia nuk ka bllokuar Kosovën për në Samitin e Ohrit
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç deklaroi dje se vendimi për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Ohrit është vendim i vetëm Maqedonisë si organizatore e këtij takimi të nivelit të lartë në Evropën Juglindore. Vuçiç i pyetur se a ka ndikuar Serbia që të mos ftohet Kosova në Samitin e Ohrit, është përgjigjur se Maqedonia vetë ka sjellë një vendim të tillë, dhe se në këtë vendim kanë ndikuar edhe kërkesat e disa vendeve të tjera. Kjo nuk ka lidhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se të gjitha marrëveshjet e mëparshme Serbia i ka respektuar, ka theksuar zëvendëskryeministri serb, Vuçiç. Ndërkohë, Serbia nënvizohej se ishte bllokuesja kryesore e Kosovës për të mos marrë pjesë në Samitin e Ohrit. Ky ishte theksuar në mënyrë indirekte edhe nga ana e presidencës së Maqedonisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›