E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet në krizë, skanë lekë për ekspeditat e studentëve

Studentët nisin protestat: Nuk ka fonde, na lanë pa praktikë mësimore

EKSPEDITA MESIMOREKriza ekonomike ka prekur edhe buxhetin e universiteteve duke i detyruar dekanatet të anulojnë ekspeditat e studentëve apo shërbime të tjera të nevojshme. Kundër vendimeve për anulimin e ekspeditave mësimore kanë dalë studentët e degës së gjeografisë në Tiranë.
Ekspeditat
Të rinjtë kanë nisur protestat ndaj vendimit më të fundit të dekanatit të këtij fakulteti, i cili ka anuluar ekspeditat për praktikë mësimore mbi 100 km, në qytete të ndryshme të vendit, ndërkohë që janë reduktuar edhe shpenzimet për udhëtimet. Ata kërkojnë që të kryejnë ekspeditat në të gjithë vendin dhe atyre t’ju sigurohet fjetja siç është vepruar çdo vit. Studentët shprehen se në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre, ata nuk do ta zhvillojnë praktikën mësimore.
Studentët
“Ndryshe nga praktikat e ndjekura në vitet e kaluara na është komunikuar se Universiteti i Tiranës nuk merr përsipër të mbulojë shpenzime dhe të organizojë ekspedita në largësinë mbi 100 km nga Tirana, me motivacionin se nuk është kompetencë e tyre”, thotë një student. Përballë kërkesave të studentëve ka reaguar dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë Shezai Rrokaj, i cili shprehet se gjithçka është organizuar në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave i cili përcakton qartë se në udhëtimet mbi 100 km studentëve nuk iu paguhet dieta. Ai mohon se ka mungesë fondesh ndërkohë që shprehet se studentët duhet të ndjekin praktikën në bazë të axhendës që është miratuar dhe pritet të fillojë në 1 qershor.
Dekanati
“Sa kohë që ky është vendim qeverie duhet zbatuar? Menjëherë do të konsiderohej shkelje nëse nuk do zbatohej. Atëherë nisur nga sa më sipër, ne vendosëm që sivjet studentët ta bëjnë siç e kanë bërë edhe vjet, ekspeditën në një distancë me autobus. Janë prenotuar autobusët, ka filluar ekspedita, programi mësimor po realizohet plotësisht. Mund të duan me fjete, unë nuk e kuptoj se cila ka rëndësi në këto raste, bërja e mësimit apo fjetja”, thotë Rrokaj. Kërkesat e tyre studentët e gjeografisë ja kanë dërguar edhe rektorit të UT-së, Dhori Kule, si dhe kreut të Arsimit Myqerem Tafaj, por deri tani ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë që e njëjta praktikë mësimore është ndjekur edhe një vit më parë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›