Nishani vijon vizitën në New York, takon Emirin e Katarit

Në vijim të qëndrimit të tij në New York, në kuadër të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është takuar me Emirin e Katarit, Lartësinë e tij Sheikh Hamad Bin Khalifa Al-Thani.
Në qendër të bisedës ishte intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve në fusha me rëndësi si energjitikë, infrastrukturë, bujqësi dhe turizëm.
Emiri i Katarit i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve duke shprehur mbështetjen për projekte në fushën e bujqësisë dhe atë të bulevardit të ri të Tiranës.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Mbretëria e Katarit i ka dhënë Shqipërisë dhe e ftoi biznesin e Katarit të jetë më shumë prezent në Shqipëri.
Gjithashtu presidenti Nishani ka zhvilluar më herët dy takime të veçanta me Presidentin e Bankës Eksport-Import të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Fred Hochberg dhe Zëvendëspresidenten e Korporatës Ndërkombëtare Private të Investimit, Mimi Alemayehou, me të cilët diskutoi për mundësinë e intensifikimit të investimeve amerikane në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare.
Presidenti Nishani shpalosi sektorët prioritarë për investime në ekonominë shqiptare si energjitika, infrastruktura, bujqësia dhe turizmi duke i garantuar Presidentin e Bankës Export-Import të SHBA-ve dhe Zëvendëspresidenten e OPIC-ut se Shqipëria ka një klimë të favorshme për biznesin dhe ofron siguri për investimet e huaja.