E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani vizitë në Bruksel, takohet me zyrtarët europianë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, do të niset nesër për në Bruksel, ku do të zhvillojë takime zyrtare me personalitetet më të larta të Bashkimit Evropian. Në delegacionin zyrtar, të cilin kryeson Presidenti Nishani do të jetë e pranishme dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
 

Ditën e hënë, në orën 14.30, Presidenti Nishani do të takohet me Presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, pas të cilit do të ketë deklarata për shtyp dhe në orën 17.30 me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët shtypi.
 

Ndërsa të martën Presidenti Nishani do të takohet gjithashtu edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ndërsa në orën 16.30 me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp. Po të martën, Presidenti Nishani do të pritet nga Kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt dhe më pas do të zhvilloje në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të bashkisisë shqiptare.
 

Dita e tretë e vizitës së Kryetarit të Shtetit shqiptar pritet të përmbyllet me një takim me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian / Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
 

Vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel zhvillohet në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të Raportit të Përparimit të Shqipërisë për vitin 2012.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›