Nisin punimet e autostradës Shkup-Bllacë, Kurti: Shkurtohet distanca mes dy vendeve

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në nisjen e punimeve të autostradës Shkup-Bllacë, të cilën e ka cilësuar projekt me rëndësi strategjike për lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti tha se autostrada, e cila do të ketë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, do ta forcojë lidhjen infrastrukturore mes dy vendeve, por sipas tij, rëndësia e projektit shkon përtej kësaj.
“Përveç se do të shkurtohet distanca, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona”, tha Kurti, sipas një njoftimi të kryeministrisë, transmeton KosovaPress.
Ai theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qarkullim të lartë të qytetarëve dhe mallrave, duke përmendur se vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, apo afërsisht 150 në ditë.
“Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt e më efikas”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, infrastruktura e re do t’u krijojë bizneseve mundësi më të mëdha për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja.
Ai shtoi se “në Kosovë po punojmë që lidhja infrastrukturore me vendet fqinje dhe me korridoret evropiane të rritet edhe më shumë dhe ky projekt i sotëm është dëshmi konkrete e këtij vizioni”.
Sipas tij, autostrada Shkup-Bllacë është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes strategjike që përmes Kosovës afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet e tregjet evropiane.
Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe Linjën 10 hekurudhore, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë përmes tunelit.
Lexo po ashtuTë enjten kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhë“Këto projekte janë ura gjigande të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, tha ai.
Kurti e cilësoi domethënës nisjen e realizimit të autostradës Shkup-Bllacë, duke theksuar se projekti ishte premtuar prej shumë vitesh. Ai falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kontribuuesit në realizimin e tij, si dhe koalicionin e partive shqiptare për kontributin e dhënë.
/KosovaPress/