E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin punimet për ujësjellësin në Njësinë Nr.4. Basha: Funksional në tetor

Tiranë- Një ndër zonat më problematike të kryeqytetit për furnizimin me ujë të pijshëm, Njësia Numër 4,  prej muajit tetor do të furnizohet rregullisht me ujë falë shtrirjes së rrjetit të ri.

Kryebashkiaku Lulzim Basha teksa ka inspektuar punimet që sapo kanë nisur për ndërtimin e këtij rrjeti, foli për mbajtjen e premtimit se shumë shpejt, 95 % e banorëve të kryeqytetit do të furnizohen me ujë pa ndërprerje.

“Ky rrjet do të furnizojë 1500 banesa apo afro 7500 banorëve të Tiranës. Bashkia, menjëherë pas marrjes së aksioneve të Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat kishin mbetur peng për disa vite, mori përgjegjësitë për furnizimin me ujë të qytetarëve të Tiranës. Sot i rrimë premtimit tonë dhe avancojmë çdo ditë për të përmbushur një ndër objektivat tanë, furnizimin e pandërprerë të qytetarëve me ujë kudo që banojnë. Kontraktori së bashku me Drejtorinë e Ujësjellësit ka marrë përsipër ta përfundojë më heret se sa afati 120 ditor që është në kontratë ndaj edhe ky ujësjellës do të jetë funksional në 2-javëshin e parë të muajit tetor” -ka theksuar kryebashkiaku Basha pas përfundimit të inspektimeve të këtij ujësjellësi i cili pritet të jetë shpëtimi për mijëra banorë të Njësisë Bashkiake Nr.4 që vuajnë prej vitesh mungesën e ujit në shtëpië e tyre.

Ndërkaq, njoftohet se nuk do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë ndërsa kryen punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë. Në disa lagje të kësaj zone ekziston rrjeti i vjetër i cili është i amortizuar, ndërsa në të ka shumë ndërhyrje të paligjshme të cilat megjithatë nuk do të preken derisa rrjeti i ri të çojë ujë në të gjitha shtëpitë e banorëve të kësaj zone.

Në zbatimin e këtij projekti marrin pjesë edhe 20 studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, nismë kjo e Bashkisë Tiranë për t’i krijuar mundësi stazhi studentëve. Por Z. Basha premtoi se për më të mirët ndër këta studentë do të krijohet mundësi punësimi pranë Ujësjellësit të Tiranës.

/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›