E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin universitetet, Tafaj: Ky vit akademik, test cilësie



Hapen sot dyert e universiteteve në gjithë Shqipërinë për t’u uruar mirëseardhjen studentëve për vitin e ri akademik 2009-2010, ku këtë vit do të ulen në auditorë rreth 120.000 mijë studentë.

Me rastin e nisjes së vitit të ri akademik në gjithë vendin, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka përçuar një mesazh urimi për të gjithë studentët, profesorët dhe drejtuesit e universiteteve, duke e cilësuar këtë vit akademik si “një test cilësie” për universitetet publike.

Në konferencën për shtyp, ministri Tafaj në urimin e tij tha: “Me fillimin e vitit të ri akademik në të gjitha universitetet tona publike dhe private dëshiroj t’u uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve të universiteteve tona: Gëzuar dhe suksese në vitin i ri akademik 2009-2010!” Kreu i MASH-it, përveçse ka shprehur urime, ka thënë gjithashtu se prioritet do të jenë reformat e thella që do të kryhen në arsimin e lartë në vitet e ardhshme të mandatit.

Ministri ka veçuar programet e studimeve universitare, duke thënë: “U janë nënshtruar një reforme të thellë, në përmbajtje, në përputhje me standardet e Bolonjës dhe këtë vit akademik universitetet do të ofrojnë të gjitha ciklet e studimeve që përcakton Karta e Bolonjës në të tre nivelet e studimeve”.

Sipas ministrit, në të gjitha nivelet e arsimit do të vazhdohet të investohet dhe më shumë, duke e rritur në 7% të PBB-së nga e cila 6% do të jetë nga burimet publike dhe 1% nga burimet private. Më tej, në fjalën e tij ka shtuar se vetëm këtë vit do të ndërtohen 25 laboratorë mësimorë-shkencorë të rinj që do të mundësojnë rritjen e nivelit teorik dhe praktik të studimeve universitare të gjitha niveleve.

Ministri Tafaj ka shprehur edhe një herë se synohet që në arsimin e lartë është cilësia e studimeve, cilësia e diplomave. “Së shpejti, një kompani e huaj fillon punën për të përcaktuar standardet mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre”, - ka thënë kreu i MASH-it.

Ndërsa ka shtuar: “Deri në fillim të vitit tjetër akademik, ne do të kemi të përfunduar klasifikimin e universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia e tyre”. Ndërkohë, numri i studentëve të cilët ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve publike, arrin në 30.000, studentë të cilët do të kryejnë studimet më kohë të plotë apo të pjesshme. Numri i përgjithshëm i studentëve në gjithë Shqipërinë që ndjekin studimet në universitetet publike si dhe ato private, arrin në 120.000 mijë. Në fjalën e tij përmbyllëse është shprehur se “është kjo arsyeja që kjo ditë mund të cilësohet edhe si një ditë feste për të gjitha familjet shqiptare”.

Formulari A3, vonesë nga ministria

Formulari A3 nuk dihet se kur do të dalë, sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Ndonëse sot nis viti i ri akademik, kandidatët për studentë që nuk janë shpallur ende fitues, nuk do të arrijnë të zbulojnë nëse do të mund të fitojnë një vend në shkollat publike gjatë këtij viti. Drejtori i Agjencisë së Pranimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), z. Frederik Shalsi, deklaroi dje se nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me datën se kur do të nisë plotësimi i formularit A3, duke i lënë kandidatët jofitues me një opsion të vetëm: regjistrimin në universitetet private, tashmë që viti i ri akademik ka filluar. Procedurat e aplikimit për përzgjedhjen e studentëve fitues të fazës së tretë, të cilët do të plotësojnë kuotat e mbetura bosh në fakultete për vitin e ri akademik 2009-2010, do të nisin tashmë në një kohë të pacaktuar, por që me shumë gjasa do të jetë brenda dhjetëditëshit të ardhshëm.

Këto kuota, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të plotësohen nëpërmjet një rishpërndarjeje të re fituesish, që do të përcaktohet nga renditja e re e preferencave. Kështu, kandidatët humbës do të paraqiten pranë drejtorive arsimore të rrethit të tyre, në datat që do të publikohen pas disa ditësh, ku do të tërheqin formularin A3 të preferencave.

Në këtë formular ata do të listojnë edhe një herë, nga e para, preferencat e tyre, çka u jep dhe një shans për të mos humbur vitin akademik. Formulari i ri i preferencave do të përmbajë një renditje të re degësh, e kombinuar kjo në bazë të kuotave të mbetura bosh për secilin prej fakulteteve.

Procedura e aplikimit përcakton që këtë formular do ta plotësojnë vetëm ata kandidatë që kanë dhënë të katër provimet e Maturës Shtetërore, por që me rezultatin e tyre nuk arritën që të klasifikoheshin fitues në asnjërën prej fazave të pranimit.

Deri tani rezulton se universitetet e rretheve kanë numrin më të lartë të kuotave të parealizuara, ndërsa në degët universitare të Tiranës janë evidentuar rreth 182 kuota të paplotësuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›