Krim i dyfishtë në Bulqizë, vritet çifti Bledar e Arjeta Bilali
Një krim i dyfishtë ka tronditur mëngjesin e djeshëm qytetin e vogël të Bulqizës. Policia gjeti në një banesë në lagjen “Gjeologu” trupat e pajetë të një çifti të ri, të ekzekutuar me armë zjarri. Menjëherë nisi puna për zbardhjen fillimisht të identiteteve të dy viktimave dhe më pas shkaqet e krimit. Viktimat, sipas burimeve zyrtare policore, burrë e grua janë gjetur të vrarë rreth orës 09:30 minuta të mëngjesit, ndërsa dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur mbrëmë. Sipas policisë, Bledar dhe Arjeta Bilali, përkatësisht 29 dhe 25 vjeç, ishin nga Shkodra dhe kishin vetëm 8 muaj që banonin në këtë qytet. Mëngjesin e djeshëm, fqinjët kishin parë të hapur derën e apartamentit në katin e tretë të një pallati në lagjen “Gjeologu” dhe kur kishin hyrë, kishin parë të vdekur dy të rinjtë. Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur dy net më parë, ndërsa po hetohet nëse kemi të bëjmë me një krim brenda në familje apo vrasjen e çiftit nga një person i tretë. Nga të dhënat e para të grumbulluara në vendngjarje nga policia mësohet se banorët përreth janë shprehur se kishin dëgjuar krisma armësh nga brenda banesës.
Ngjarja
Rreth orës 9:30 minuta të ditës së djeshme, banorët e një pallati në lagjen “Gjeologu” kanë konstatuar se çifti që banonte prej tetë muajsh në atë banesë, ishte vrarë. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka nisur me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe marrjen e dëshmive nga ana e banorëve të pallatit. Në një kohë të shkurtër u arrit të identifikoheshin dy të rinjtë, Bledar e Arjeta Bilali, të cilët kishin 8 muaj që kishin ardhur në qytetin e vogël të Bulqizës për të jetuar. Një natë më parë janë dëgjuar krisma, por vrasja është konstatuar vetëm në mëngjes, kur banorët kanë parë derën e banesës hapur dhe kanë hyrë për të parë çfarë kishte ndodhur. Një i afërm i viktimave është ndaluar dhe marrë në pyetje, pasi ka qenë personi që ka darkuar me ta një natë më parë, madje duke deklaruar se ka parë edhe skenën e krimit. Sipas burimeve policore, personi i quajtur Olsi Mujaj, banonte në një banesë me ta, pasi babi i tij dhe i viktimës Bledar ishin bërë vëllezër sepse kishin pirë gjakun e njëri-tjetrit. Ai është shprehur se pas një grindjeje, Arjeta ka vrarë të shoqin dhe më pas veten. “Unë dëgjova dy krisma rreth orës 6 dhe shkova te dhoma e gjumit të çiftit kur pashë Arjetën me pistoletë në gojë. I thashë çfarë bën dhe ajo qëlloi veten”, mësohet të ketë deklaruar në polici dëshmitari i vetëm i ngjarjes. Por, policia dyshon se mund të kemi të bëjmë edhe me një vrasje të kryer nga një person i tretë me motiv gjakmarrjen apo grabitjen. Ekspertët janë duke hetuar për zbardhjen e shkaqeve, ndërkohë që në banesë u gjetën një pistoletë dhe një armë tip kallashnikov. Armët janë dërguar për ekspertim balistik, ndërkohë që hetimet vazhdojnë me kryerjen e vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe mbledhjen e dëshmive.
Hetimet
Krim brenda familjes apo vrasje nga një person i tretë? Ky ka qenë misteri që u është dashur të zbulojnë hetuesve dhe policisë sapo mbërritën në vendngjarje. Mësohet se një natë më parë në banesë kanë qenë tre persona, edhe një kushëri i viktimave, i cili dje është marrë në pyetje nga policia për të dhënë versionin e tij për ngjarjen. Sipas policisë, i afërmi ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes dhe ka dëshmuar se gruaja, Arjeta, ka vrarë fillimisht burrin dhe më pas veten. Por, policia nuk është mjaftuar vetëm në versionin e dhënë nga i afërmi i viktimave. Dyshohet se mund të kemi të bëjmë edhe me një vrasje të kryer nga një person i tretë. Një grup ekspertësh kriminalistë si dhe përfaqësues të Mjekësisë Ligjore u nisën urgjent nga Tirana për të marrë pjesë në hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Dyshimet hidhen dhe në një vrasje nga një person i tretë për motive të gjakmarrjes. Nga burime policore mësohet se çifti ishte larguar pak kohë më parë nga Shkodra dhe ishte vendosur në Bulqizë, por pa ndryshuar gjendjen e tyre civile. Megjithatë, vrasja për xhelozi apo për gjakmarrje nuk janë e vetmja pistë ku grupi hetimor ka përqendruar hetimet. Pistë tjetër është dhe vrasja për motive grabitjeje. Bledar Bilali, djaloshi 29-vjeçar, ishte pronar i një miniere kromi në Bulqizë dhe një ditë më parë kishte shpërndarë rrogat e punonjësve të firmës së tij dhe dyshohet se kishte ende para në banesë për rrogat e punonjësve. Gjithnjë, sipas kontakteve me banorët dëshmitarë të ngjarjes, çifti jetonte me punën në stokun e kromit, pasi Bledi Bilali ua mblidhte kromin e nxjerrë banorëve prej aty dhe e shiste për të përballuar jetesën. Edhe banesa ku ata u gjetën të vrarë, gjendet fare afër këtij stoku.