Nisja e transaksioneve në SEPA, Gonzato: Shqiptarët, të barabartë me çdo qytetar tjetër të BE-së

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Shqipëria dhe Mali i Zi nisën sot transaksionet ndërkufitare me Bashkimin Evropian në të njëjtën mënyrë si çdo vend tjetër anëtar i Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Në ceremoninë e lançimit të transaksionit të parë në euro përmes SEPA-s, mbajtur në Bankën e Shqipërisë, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe një tregues i qartë i përpjekjeve drejt anëtarësimit në BE.
Ai nënvizoi se ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë dhe sfidues, që kërkoi bashkëpunim dhe angazhim nga sektori bankar dhe autoritetet shqiptare për të përmbushur standardet dhe kërkesat e Këshillit Evropian të Pagesave, duke përfshirë edhe masat kundër pastrimit të parave, të domosdoshme për anëtarësimin në SEPA.
Ambasadori Gonzato theksoi se kjo arritje është pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që synon përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët para anëtarësimit.
“Ky është një moment i rëndësishëm, pasi shqiptarët ndjehen të barabartë me çdo qytetar tjetër të BE-së, me transaksione bankare më të lira, më të shpejta dhe më efikase”, shtoi ai.
Gonzato shtoi se ky sukses dëshmon se angazhimet politike, kur ndiqen me vendosmëri, mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe se BE-ja është serioze në mbajtjen e premtimeve të saj.
Sipas tij, këto përpjekje çuan në këtë arritje strategjike për përfshirjen financiare dhe integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun unik të BE-së, me një sërë përfitimesh që qytetarët shqiptarë do t’i gëzojnë menjëherë.
“Qytetarët shqiptarë dhe familjet e tyre do të kursejnë në dërgesat e parave, ndërsa bizneset që operojnë në Shqipëri, qoftë vendase apo të huaja, do të përfitojnë kohë dhe kursime financiare, pasi transaksionet me partnerët europianë do të jenë më të lira dhe më të shpejta. Po ashtu, turistët do të ndihen sikur në shtëpinë e tyre kur të kryejnë pagesa, qofshin ato me kartë apo para në dorë, sikur të ishin në vendet e tyre”, u shpreh Gonzato.
Ai theksoi gjithashtu se formalizimi i ekonomisë shqiptare do të përforcohet më tej përmes përdorimit më të gjerë të pagesave digjitale dhe përfshirjes financiare.
“Tregtia nga dhe për Shqipërinë do të përmirësohet ndjeshëm, ndërkohë që Shqipëria ka hapur afro 5 nga 6 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Ambicia është që të mbyllen të gjithë këta kapituj deri në vitin 2027, çka kërkon edhe reforma të tjera dhe përafrim të mëtejshëm me legjislacionin e BE-së, duke përfshirë nevojën për forcimin e sektorit bankar dhe përmirësimin e shërbimeve financiare”, tha ai.
Gonzato siguroi se BE-ja mbështet fuqimisht këtë ambicie përmes ndihmës financiare, ekspertizës teknike dhe mbështetjes politike.
“Është koha që Shqipëria të përmbushë angazhimet e saj dhe të thellojë reformat. Duhet të sigurohemi që nga këto reforma dhe rritja ekonomike të përfitojnë të gjithë, dhe për këtë jam serioz dhe e kam për zemër që përfitimet të mos jenë vetëm për një pakicë të privilegjuar, por për të gjithë shqiptarët, bizneset, shoqërinë civile, qytetarët dhe partnerët socialë, të cilët duhet të luajnë rolin e tyre për integrimin e Shqipërisë në BE si një proces gjithëpërfshirës dhe gjithëshoqëror”, theksoi Gonzato.
Qëllimi ynë, tha ai, është më shumë konvergjencë ekonomike dhe sociale, afrim më i shpejtë me rregullat e BE-së, lidhje më të ngushta me tregun unik të BE-së, integrim më të fortë të Shqipërisë dhe rajonit, dhe gatishmëri për anëtarësim në BE, duke u kujdesur sidomos për pjesët më të cenueshme të shoqërisë shqiptare.
“Nëse këto reforma realizohen, BE-ja do të çlirojë fonde shtesë deri në 1 miliard euro, duke përfshirë investime të mëdha infrastrukturore”, deklaroi Gonzato. /j.p/