E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma “BRIDGE2EU”, Ibrahimaj: Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, mundësi financimi nga BE

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Brain Nest Institute, ka lançuar nismën BRIDGE2EU – Nga Potenciali Lokal drejt Mundësive Evropiane, e cila synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shqiptare në orientimin dhe aksesin ndaj mundësive evropiane të financimit dhe zhvillimit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se programi është ndërtuar mbi nevojat konkrete të bizneseve, duke i ndihmuar ato të identifikojnë mundësitë e financimit dhe instrumentet evropiane që lidhen me objektivat e tyre të zhvillimit.

Në kuadër të nismës do të zhvillohen katër workshope, ku NVM-të pjesëmarrëse do të njihen me programet dhe instrumentet e financimit të BE-së, Single Market Programme, mundësitë e cascade funding dhe instrumentet financiare për bizneset.

Programi përfshin gjithashtu informacion mbi mundësitë në inovacion, digjitalizim dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe orientim për kërkimin dhe aplikimin në thirrjet e BE-së dhe identifikimin e partnerëve të përshtatshëm.

Një tjetër komponent i BRIDGE2EU është mbështetja për përgatitjen e një Concept Note për një projekt konkret të biznesit.

Ibrahimaj u bëri thirrje NVM-ve të interesuara të plotësojnë formularin e regjistrimit dhe identifikimit të nevojave. Afati i aplikimit është 6 shtator 2026.

Nisma synon të krijojë një urë më të drejtpërdrejtë mes potencialit të bizneseve shqiptare dhe mundësive të financimit dhe zhvillimit që ofrohen në nivel evropian.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›