E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisma e barazimit të taksës 20% në bujqësi, Braçe: Të ecet përpara, e paguaj unë gjobën e KQZ! Sula: Paketa e Maleve për qëllime elektorale

Ditën e sotme po mbahet seanca plenare në Kuvend, ku pritet votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në nisje të seancës, deputeti socialist Erion Braçe, tha se KQZ ka bllokuar nismën e barazimit të taksës 20% në bujqësi.

Sipas tij nisma është bllokuar në mënyrë të padrejtë  dhe i kërkoi Parlamentit të ecej përpara, duke përsëritur edhe njëherë se do e paguante ai gjobën e KQZ.

“Unë rekomandoj të ecim përpara me nismën. Edhe nëse KQZ vendos gjobë, na penalizon, gjobën do e paguaj unë”, tha deputeti socialist.

“Më vjen keq. Komisioneri nuk e ka lexuar. Ka parë vetëm titullin”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër, deputeti Dashnor Sula iu kundërpërgjigj, duke thënë se në Komisionin e Ekonomisë dhe Ligjeve është diskutuar “Paketa e maleve” me qëllime elektorale dhe se PS nuk ka bërë asgjë për Bujqësinë ndër këto vite, duke u kujtuar tani në fushatë, që i quajti edhe “lotë krokodili”.

“Keni kaluar në Komisionin e Ligjeve dy ditë më parë, një projektligj që është në shkelje të Kodit Zgjedhor, Paketa e Maleve. Është totalisht për qëllime elektorale dy muaj para zgjedhjeve kur keni pasur kohë, keni zvarritur me muaj nismat e opozitës”, tha ai.

Nisma e propozuar nga deputeti Erion Braçe kërkon barazimin e TVSH-së 20%/në bujqësi, pasi sot një grumbullues kur blen produktin te fermeri rimbursimin e TVSH-së e ka 0%, ndërsa kur e blen në import rimbursohen 20%. Me argumentin se ky projektligj nuk sjell favore tatimore, Komisioni i Ekonomisë kërkoi sqarime nga KQZ se ku preket kodi./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›