E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisma për “Paketën e Maleve”, takim informues në Mirditë mbi aplikimin për fondin e mbështetjes

“Paketa e Maleve”, nisma e qeverisë shqiptare për mbështetjen e investimeve në zonat malore, bëri bashkë operatorët turistikë, drejtuesit vendorë dhe përfaqësues të AZHBR-së në Mirditë, për atë çka mund të përfitojnë nga kjo mundësi.

Kjo paketë me kushte lehtësuese synon t’i japë një tjetër hov turizmit malor dhe banorëve, duke i mbështetur financiarisht për nismat e tyre.

“Thirrja është deri në fund të muajit shtator, më 30 shtator, për të gjitha bizneset, fermerë të cilët kanë një interes të bëjnë një zhvillim të bujqësisë apo blegtorisë, apo mekanikës bujqësore, apo çdo lloj investimi i cili është në interes të fermës së tij apo ferme së re, nëse do të hapë një fermë të re”, tha Spartak Haziri, përfaqësues i AZHBR-së.

U vlerësua se programi kombëtar i mbështetjes, “Paketa e Maleve”, do t’u japë mundësi banorëve të zonave malore për krijimin e fermave, bujtinave apo projekteve që do të përmirësojnë teknikën bujqësore.

“Bashkia do të jetë vazhdimisht afër për të asistuar, ndihmuar në përgatitjen e çdo lloj dokumentacioni që u jep mundësi këtyre aktorëve të investojnë, bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, Paketa e Maleve apo hapësira që na jep ligji, qoftë për asetet që ka bashkia,” deklaroi kryetari i Bashkisë, Albert Melyshi.

“Të shohim kush janë mundësitë dhe resurset që ofron harta e Mirditës. Sot keni një mundësi që e jep qeveria shqiptare, Paketa e Maleve, e cila duhet të shfrytëzohet”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Tiranë.

E shtrirë në një territor malor me potenciale të mëdha natyrore, kulturore dhe turistike, Mirdita është një zonë atraktive për investime.

Programi kombëtar synon të kthejë vëmendjen dhe investimet drejt Mirditës, duke e shndërruar në një qendër zhvillimi ekonomik e turistik, me qëllim ringjalljen e jetës dhe ekonomisë në këtë trevë me potencial të jashtëzakonshëm.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al./

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›