E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një “Parfumeri” siç duhet

Të dielën, në Teatrin Dodona u dha versioni i ri i shfaqjes “Parfumeria”, me regji të Elmaze Nurës, dhe me tekst të dramaturgut Haqif Mulliqi. Teksti nga regjisorë të ndryshëm është inskenuar më shumë se dhjetë herë, por duket se ky ishte versioni më i mirë. Nga Albana S. Muja më 10 maj 2011 në ora 11:47

Në ‘dërrasat’ e Dodonës të dielën mbrëma u shfaq “Parfumeria” e re, e cila iu besua lojës së aktorëve të rinj, gjegjësisht studentëve të vitit të tretë të Fakultetit të Arteve. Kremtim Krasniqi dhe Astrit Geci, e kënaqën audiencën, duke bërë që loja dhe drama e tyre të bashkëndjehej nga të gjithë. Puna regjisoriale ishte e regjisores Elmaze Nura, ndërkaq teksti i dramaturgut, Haqif Mulliqi.

Në “Parfumerinë” e Nurës e gjithë skena u funksionalizua vetëm me një shkallë, e cila doli e mjaftueshme për plotësimin e tërë shfaqjes së pasuruar me ide të ndryshme, duke e bërë atë të rrjedhshme pothuajse në secilën skenë. E gjithë kjo e lidhur me dramën e dy burrave, Bruti dhe Spajsi, të cilët të shpijnë tek dashuria, çmenduria, pasioni, tradhtia, jeta dhe vdekja.

Ndryshe, “Parfumeria” në skena të ndryshme dhe nga regjisorë të ndryshëm është inskenuar më shumë se dhjetë, por versioni i fundit mbetet më i kënaqshmi edhe për vetë dramaturgun Mulliqi.

As vetë Mulliqi nuk është në dijeni për të veçantën e këtij teksti, që i bënë regjisorët për veti. Mirëpo, ngaqë këtë shfaqje e ka inskenuar edhe vetë, Mulliqi thotë se ky tekst të ofron mundësi të mëdha. “Versioni i sotëm është njëri prej versioneve më të mira që kam parë. Nuk i kam parë të gjitha, madje as nuk i njohë të gjithë regjisorët që e kanë punuar, por është një prej varianteve më interesante”, tha Mulliqi për gazetën. Sipas tij, ky version shënon dy momente. I pari ka të bëjë me ndikimin që mund ta ketë teksti i një autori vendor tek audienca. E, i dyti shpërfaq fuqishëm talentin e regjisores, Elmaze Nura, e cila është profilizuar dhe ka dëshmuar se është një regjisore me të cilën duhet të merren teatrot seriozisht.

“Të bësh një shfaqje në stil laboratori, me dy aktorë të rinj pa bagazh në skenë, ngaqë janë ende studentë, por që arrijnë një nivel të këtillë artistik, këtë mund ta bëjë vetëm një regjisore që ka potencial dhe talent, siç e ka Elmaze Nura, të cilën e përgëzoj dhe e falënderoj shumë për përkushtimin dhe dashurinë që i dhuri tekstit”, shprehet Mulliqi.

Ndërkaq, regjisorja ndihet mirë që shfaqja e saj u pranua në formën shumë mirë nga audienca.

“Ka kohë që s’jam ndjerë më mirë pas premierave, se këtë natë. Shumë e rëndësishme për mua ishte që dramaturgu u nda shumë i kënaqur me inskenimin e tekstit”, thotë Nura. Sipas saj, janë komplimentet, si ato që kjo shfaqje u punua me detaje, imagjinatë dhe kreativitet artistik, ato që vërtet e bënë të ndihej mirë.

Dramaturgu dhe kritiku i artit, Agron Gërguri, pas premierës së shfaqjes theksoi se sërish u bind që dramaturgjia e mirë dhe teksti shumë dimensional japin mundësinë që çdo regjisor tekstin ta lexojë në mënyrën e vetë.

“Kjo e regjisores Nura me pëlqeu, sepse arriti të depërtojë. Ndoshta, në këto versionet që kam parë deri tani ajo depërtoi më thellë në zbërthimin e shfaqjes. Sepse, e folmja dhe teksti u shndërruan në veprim. Nura diti t’i kthejë në veprim skenik, duke përdorur gjuhën e teatrit, si mjetit të vetëm që e ka regjisori gjatë realizimit të shfaqjes karshi tekstit”, theksoi Gerguri.

Pjesa tjetër, e cila bëri që shfaqja të plotësohet në kuptimin artistik, ishte koreografia e koreografit, Haki Mulliqi. E jo me pak ndikim ishte edhe muzika e mirë e Agron Shalës. Skenografia u punua nga Zeni Ballazhi, kostumet nga Elvina Berberi, ndriçimi ngaSkender Latifi. ndërsa asistente e regjisë ishte Getoarbe Mulliqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›