Në Shqipëri jetojnë bullgarë, jo maqedonas
Bullgaria është vënë në ofensivë kontaktesh me komunitetin e Shqipërisë juglindore që deklarohet me origjinë bullgare dhe maqedonase.
Ministri bullgar i Financave, Simeon Gjankov ka zhvilluar një takim me pjesëtarët e komunitetit bullgar në Shqipëri, të cilëve u ka premtuar përkujdesje dhe plotësim kushtesh për gjendjen dhe të drejtat e tyre.
Bullgaria pretendon se banorët e zonave të Prespës së Vogël, Liqenasit, rrethina e Pogradec dhe vendet tjera i takojnë etnitetit bullgar dhe jo maqedonas.
Siç bëhet e ditur, ministri bullgar ka nënvizuar në këtë takim se komuniteti që banon në zonën juglindore është bullgar dhe jo maqedonas.
Vizita e ministrit Gjankov, i cili është edhe ministër përgjegjës për diasporën vjen pas aktiviteteve të fundit intensive të ministrave dhe zyrtarëve maqedonas me komunitetin e këtyre zonave kufitare, të cilët vazhdimisht janë nën përkujdesjen e Shkupit zyrtar.
Ministri bullgar ka premtuar se do të plotësojë kushtet e nevojshme për këtë komunitet, duke hapur një qendër kulturore bullgare në Tiranë, duke krijuar kushte studimi për të rinjtë e këtyre zonave në universitetet bullgare dhe plotësim të kushteve tjera në arsim, infrastrukturë dhe plane tjera.
Ministri Gjankov nuk ka lënë pa prekur edhe çështjet ekonomike me përfaqësuesit e pakicës bullgare në Tiranë.