Një 50-vjeçar vetëvaret në ambientet e komisariatit nr.3
Pakujdesi nga policia, mbytet me rripin e pantallonave
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në brendësi të ambienteve të komisariatit nr 3 në kryeqytet, ku një 50 vjeçar me identitet Ndue Kolçi pasi është shoqëruar në polici për verifikim është gjendur disa orë më pas, i vetëmbytur me rripin e tij të pantallonave në dhomën e pritjes në komisariat. Lidhur me këtë ngjarje, Policia e kryeqytetit ka dhënë dje detaje mbi vdekjen 50-vjeçarit në ambientet e komisariatit nr.3 në Laprakë. Por edhe pse deklarata e policisë ka shfajësuar në njëfarë forme veprimet dhe gjithë ngjarjen e ndodhur sërish disa pikëpyetje shqetësojnë mbarë opinionin publik pasi, ky nuk është i vetmi rast ku të burgosurit, apo personat e shoqëruar në komisariat kanë kryer vetëvrasje në rrethana të çuditshme, brenda ambienteve të komisariateve apo burgjeve në vend.
Sqarimi
Sipas burimeve të policisë, Rreth orës 03.40, të mëngjesit të së enjtes është gjendur i vetëvarur shtetasi i shoqëruar në ambientet e pritjes së Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë Ndue Kolçi, 50 vjeç, me banim në Tiranë. Policia sqaron se ky shtetas është gjetur i shtrirë në rrugë dhe i gjakosur në gjendje të dehur. Ai është shoqëruar në komisarit për verifikime. Shërbimet e Policisë së këtij komisariati, pas marrjes së një informacioni se në qendër të Laprakës, gjendet i shtrirë dhe i gjakosur një shtetas, menjëherë ka shkuar një Patrullë e Policisë e cila i kanë dhënë ndihmën e parë duke e dërguar atë në Spital. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, shtetasi Ndue Kolçi është shoqëruar në ambientet e pritjes së komisariatit, pasi ishte në gjendje të dehur dhe me vete i është gjetur një pistoletë (ku pas verifikimeve nuk ishte armë zjarri).
Shoqërimi është kryer, me qëllim për verifikime të mëtejshme nëse ky shtetas, ishte i dëmtuar nga një vepër penale apo autor i saj, thuhet në deklaratën e policisë.
Ngjarja
Viktima dyshohet se, është vetëvarur duke përdorur rripin e pantallonave në ambientet e pritjes së komisariatit. Strukturat kompetente janë duke kryer hetime të mëtejshme për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Po sipas policisë, Përgjatë qëndrimit në ambientet e pritjes në komisariat, nga oficeri i policisë, janë kryer procedurat standarde të mbikëqyrjes së tij, por duhet të theksojmë se në këto ambiente, lejohet që një shtetas të mbajë sende personale si : celular, syza, orë, unaza, lidhëset e këpucëve, rripi i pantallonave etj, heqja e të cilave nga Policia do të përbënte shkelje të lirive dhe të drejta të njeriut.