Një "Ishull" me zarar
Një grup shoqatash islame në Shqipëri janë prononcuar kundër subjektit dhe frymës së romanit "Të jetosh në ishull", shkruar nga Ben Blushi. Ato kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku thuhet se: "Ndonëse tinëzisht në promovimin e tij libri u paraqit si një vepër që flet për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë, nga leximi i tekstit dhe komentet që janë bërë rreth tij në shtyp, rezulton krejt e kundërta. I gjithë libri karakterizohet nga fryma e përbuzjes ndaj fesë islame në veçanti, si dhe ndaj vlerave dhe simboleve të tërë kombit shqiptar në përgjithësi. Së pari, vepra shfaq një mori të pavërtetash dhe pasaktësish për fenë islame, duke dhënë kësisoj një imazh të deformuar të saj. Në roman libri i shenjtë i myslimanëve, Kurani, quhet libër i ndalimit. Aty thuhet se ai është shkruar nga vetë Muhamedi dhe nuk është revelatë (zbritje hyjnore). Libri shfaq gjithashtu paragjykime për mjaft çështje fetare, duke i keqinterpretuar ato, si dhe duke i veshur islamit parime dhe pikëpamje që nuk kanë të bëjnë me të. Së dyti, vepra shfaq një mungesë të madhe etike, duke fyer vlerat humane, besimin dhe simbolet fetare. Autori tallet jo vetëm me disa prej praktikave dhe ritualeve të fesë islame, por ai nuk ngurron të njollosë edhe vetë figurën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), duke e përshkruar atë me terma fyes. Në këtë roman ofendohen në mënyrë të veçantë myslimanët shqiptarë, të cilët cilësohen si tradhtarë të krishterimit, dhunues të të krishterëve, barbarë, banditë, të paqytetëruar, përdhunues e të pabesë. Romani në fjalë është shumë shqetësues edhe për racizmin që ai shfaq për popuj dhe etni të tjera. Së treti, vepra deformon historinë e popullit shqiptar, duke ofruar një perspektivë negative, e cila cenon vlerat si dhe figurat historike simbol të tij. Shoqatat myslimane të Shqipërisë gjykojnë se kjo vepër prodhon efekte negative dhe tejet provokuese në shoqërinë shqiptare. Ajo fyen në mënyrë të qëllimtë atë çka është më e shenjtë për një besimtar - fenë e tij, e duke nxitur kësisoj urrejtjen ndërmjet shtresave të popullsisë me fe të ndryshme, godet një nga vlerat më të spikatura të kulturës shpirtërore të shqiptarëve - bashkëjetesën në harmoni ndërmjet feve, ku myslimanët kanë pasur dhe kanë rol vendimtar", thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të disa shoqatave islame në Shqipëri. Ato shprehen gjithashtu se "duke u ndjerë të fyer dhe të provokuar nga kjo vepër, shoqatat myslimane i bëjnë thirrje shoqërisë civile, opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, mediave dhe shtetit shqiptar si dhe kujtdo që ndjehet krenar për historinë dhe vlerat e popullit të vet, të distancohen nga teza e pikëpamje të tilla, që krijojnë precedentë të dëmshëm për bashkëjetesën shoqërore dhe nxisin racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë në Shqipëri. Do të ishte gjithashtu një detyrim etik për forcën politike ku autori militon, si dhe për anëtarët e tjerë të Parlamentit shqiptar, të distancohen nga këto pikëpamje, të cilat kërcënojnë harmoninë e brendshme të shoqërisë sonë.
Nënshkruar nga:
Klubi Kulturor "Drita"
Shoqata bamirëse islame, Shkodër
Klubi kulturor "Oaz"
Këshilli shqiptar për marrëdhënie islamo - evropiane
Qendra studimore "Erasmus"
Shoqata kulturore "Ardhmëria"
Forumi Mysliman i Shqipërisë
Shoqata "Selvia"
Shoqata ‘Rinia e së ardhmes"
Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar
Nënshkruar nga:
Klubi Kulturor "Drita"
Shoqata bamirëse islame, Shkodër
Klubi kulturor "Oaz"
Këshilli shqiptar për marrëdhënie islamo - evropiane
Qendra studimore "Erasmus"
Shoqata kulturore "Ardhmëria"
Forumi Mysliman i Shqipërisë
Shoqata "Selvia"
Shoqata ‘Rinia e së ardhmes"
Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar